Botë
Maçado, fituese e çmimit Nobel për Paqe
10.10.2025 15:55
Maria Korina Maçado nga Venezuela është vlerësuar me çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025....

Maria Korina Maçado nga Venezuela është vlerësuar me çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025. Udhëheqësja e opozitës venezueliane u cilësua si një nga “shembujt më të jashtëzakonshëm” të guximit në Amerikën Latine kohët e fundit, dhe “një grua që e mban flakën e demokracisë ndezur mes një errësire në rritje”, deklaroi kryetari i komitetit të Nobelit, Jorgen Uatne Fridnes.
Komiteti thotë se i ka dhënë Maria Korina Maçados çmimin Nobel për Paqe “për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”.
Por, nga shumë media kjo cilësohet si një ditë zhgënjimi për presidentin amerikan Donald Tramp. Trampi ka kohë që pretendon se e meriton këtë çmim prestigjioz, duke e quajtur veten një faktor kyç në nxitjen e paqes në Lindjen e Mesme. Që në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë ai deklaronte se “shumë njerëz” mendonin se ishte i denjë për Nobelin, edhe pse ai nuk e besonte se Komiteti do t’ia akordonte ndonjëherë çmimin.
Maria Korina Maçado Parisc është një politikane dhe inxhiniere industriale. Ajo shërbeu si anëtare e Asamblesë Kombëtare të Venezuelës nga viti 2011 deri në vitin 2014. Maçado e filloi karrierën e saj politike në vitin 2002 si themeluese e organizatës së monitorimit të votave Sumate. Ajo është koordinatore kombëtare e partisë politike Vente Venezuela dhe kandidoi në zgjedhjet paraprake presidenciale të opozitës në vitin 2012, duke humbur ndaj Henrike Kapriles. Gjatë protestave venezueliane të vitit 2014, ajo luajti një rol udhëheqës në organizimin e demonstratave kundër qeverisë së presidentit Nikolas Maduro.
Në vitin 2023, Maçado fitoi zgjedhjet paraprake të opozitës për t'u bërë kandidatja e unitetit për zgjedhjet presidenciale venezueliane të vitit 2024. Ajo u skualifikua nga mbajtja e një posti publik nga Kontrollori i Përgjithshëm i Venezuelës në qershor 2023, një vendim i mbështetur nga Gjykata Supreme e Drejtësisë. Në gusht 2024, Maçado njoftoi se ishte fshehur, duke përmendur frikën për jetën dhe lirinë e saj nën qeverinë e Maduros.
ARLINDA BAFTIU
