Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, Osmani dhe Dalipi shpalosën programin
10.10.2025 16:50
Aleanca Kombëtare për Integrim ka mbajtur tubim në lagjen e Fushë Topanës në Çair...

Aleanca Kombëtare për Integrim ka mbajtur tubim në lagjen e Fushë Topanës në Çair, ku kandidati për kryetar komune, Bujar Osmani, ka shpalosur platformën e tij. Ai me këtë rast ka theksuar se Çairi ka nevojë për ndryshim, pasi shëndeti i Çairit është shumë keq, Çairi është katandisur keq, është një trup që kërkon frymëmarrje, kërkon oksigjen, si një zemër që rreh ngadalë, pasi është ngulfatur nga pluhuri dhe kaosi. Osmani tha se si mjek ka hyrë në këtë betejë për ta bërë operacionin më të rëndësishëm të jetës së tij, në trupin e komunës së Çairit, e cila aq shumë kërkon shërim. Ai tha se ka hyrë në këtë garë për t’i çliruar arteriet e bllokuara të Çairit, për t’i liruar rrugët e ngushta dhe të lirohen që Çairi të qarkullojë lirshëm.
“Amanet i çdo nëne, çdo motre, çdo fëmije që e kam takuar derë më derë gjatë këtyre tre muajve të fushatës, ata më kanë kërkuar një gjë, ta ndryshoni Çairin dhe mënyrën se si udhëhiqet, për shkak se për 20 vite një klikë e ka kapur për fyti, e ka kapur për fyti duke ja ngulfatur shpresën dhe dinjitetin.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Çairit, Bujar Osmani.
Çdo hije e zezë e komunës së Çairit është edhe hije e zezë e popullit, që është shumicë në këtë komunë, tha Osmani. Ai tha se në këtë betejë ka hyrë për fëmijët e Çairit, të cilët për çdo ditë thithin pluhurin e rrugëve të papastra, të cilat asnjëherë nuk pastrohen, sepse, siç tha ai, një udhëheqës ka pasur prioritete për të bërë ndërtesa pa leje, për të mbushur xhepat dhe për ta ngulfatur jetën tonë me ato ndërtesa. Osmani tha se karrierën personale e ka ndërtuar në drejtimin e institucioneve të ndryshme shtetërore, por këtë barrë tha se e ka marrë për të mos lejuar që komuna e Çairit të katandiset aq keq. Edhe kandidati i AKI-së për qytetin e Strugës, Arsim Dalipi, ka shpalosur vizionin e tij për Komunën e Strugës, duke premtuar një komunë funksionale dhe të afërt me qytetarin.
“Programi ynë bazohet në 11 shtylla themelore, të cilat pasqyrojnë si nevojat e qytetit dhe komunës, njëkohësisht edhe mundësitë reale për zhvillim të saj, duke filluar nga digjitalizimi i administratës, te përmirësimi i infrastrukturës dhe rivitalizimi urban dhe rural i qytetit, te arsimi bashkëkohor, te një turizëm i qëndrueshëm dhe përfshirje e diasporës, te ndërmarrjet publike cilësore, me mbështetje dhe fuqizim të rinisë dhe sportit në një trafik rrugor të sigurt.”, - theksoi kandidati i AKI-së për kryetar të Strugës, Arsim Dalipi.
Po ashtu Dalipi premtoi edhe shërbime cilësore dhe efikase për grupet e margjinalizuara. Ai premtoi angazhim të ndershëm dhe plan të realizueshëm dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetarët pa dallim të përkatësisë etnike, fetare apo kulturore. Ai tha se qytetarët e Strugës meritojnë një administratë komunale, që u shërben me dinjitet e jo që i lodhë me burokraci, prandaj, siç tha Dalipi, synimi i tij është ta kthejë komunën në një institucion efikas, digjital dhe të hapur.
GYLTENE SINANI
