Botë
Kosovë, Osmani mandaton Kurtin për formimin e qeverisë
11.10.2025 13:56
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, ka nënshkruar sot Dekretin, me të cilin mandaton Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Mandatimi i tij vjen pas propozimit të emrit nga partia Lëvizja Vetëvendosje dhe pas përmbylljes së konstituimit të Kuvendit të Kosovës të premten pas zgjedhjes së Nenad Rashiq nënkryetar.
“Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti. Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim”, thuhet në njoftimin e presidentes Osmani.
Presidentja Osmani i ka uruar suksese Kurti, kryeministër në detyrë, 'me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues".
VLORA LATIFI TOPOJANI
