Botë
Lindja e Mesme, armëpushimi në Gaza respektohet
11.10.2025 17:15
Mijëra palestinezë kanë filluar ecjen e gjatë nga jugu i Gazës drejt Qytetit të Gazës...
Mijëra palestinezë kanë filluar ecjen e gjatë nga jugu i Gazës drejt Qytetit të Gazës, pasi armëpushimi hyri në fuqi në enklavë të premten, edhe pse zona është shndërruar në rrënoja gjatë dy viteve të fundit ku nuk ka infrastrukturë, energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm.
OKB-së i është dhënë drita jeshile për të shpërndarë ndihmë humanitare duke filluar nga nesër.
"Ne po shkojmë në shtëpinë tonë. Zhvendosja ishte e vështirë. Falë Zotit që lufta ka mbaruar, shpresojmë që e ardhmja e Gazës do të jetë e ndritur dhe situata jonë do të përmirësohet", u shpreh i zhvendosuri.
Në Tel Aviv familjarët presin lirimin e pengjeve me padurim.
"Jam këtu këtë mëngjes sepse nuk munda të flija. Nuk kemi mundur të flemë për disa netë. I duam ata përsëri dhe ndihemi sikur gjithçka varet nga një fije. Ndihem sikur nuk mund të marr frymë më", theksoi banorja e Tel Avivit, Mayan Eliasi.
Presidenti amerikan tha se Hamasi tashmë po organizon punën për kthimin e pengjeve, duke e quajtur situatën fillimin e një shprese të re. Ai është optimist se marrëveshja e re e paqes do të jetë e qëndrueshme këtë herë.
"Ata tashmë po punojnë për nxjerrjen e tyre, e dini, ata janë në disa vende nëntokësore që vetëm pak njerëz i dinë. Trupat e afërsisht 28 pengjeve po hiqen. Është një tragjedi, por është edhe një shpresë e re. Mendoj se këtë herë armëpushimi do të mbahet, të gjithë janë të lodhur nga luftimet", u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Pa përfshirjen personale të Trump, lufta nuk do të kishte mbaruar, thonë përfaqësuesit e Hamasit teksa shtojnë se ata nuk do të çarmatosen nëse nuk krijohet një rrugë e qartë drejt një shteti palestinez të pavarur, sovran dhe të mbrojtshëm.
"Ata duhet të flasin për këtë së bashku dhe të gjejnë mënyra për të ecur përpara me luftën tonë për liri dhe pavarësi. Në këtë kohë, ne mund të gjejmë shumë modalitete për të ulur armët, për të pasur një armëpushim, por përsëri, kjo është e drejta e përgjithshme e popullit palestinez", theksoi zyrtari i lartë i Hamasit, Bassem Naim.
Ushtria izraelite tha të premten se një armëpushim ishte tani në fuqi në Gaza, me forcat që tërhiqeshin në përputhje me planin që u miratua nga qeveria izraelite.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, një periudhë 72-orëshe për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi filloi të premten. Gati 2,000 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë në Izrael do të lirohen gjithashtu si pjesë e marrëveshjes.
VLORA LATIFI TOPOJANI
