Maqedoni

Strugë, viti i ri shkollor nis pa libra

12.10.2025 13:22

Në fillim të vitit të ri shkollor, disa shkolla në qytetin e Strugës...

Në fillim të vitit të ri shkollor, disa shkolla në qytetin e Strugës po përballen me mungesë të librave, veçanërisht për klasën e shtatë, ku është zbatuar koncepti i ri arsimor.
 
Drejtoresha Albana Cufaj Zhuta thekson se procesi mësimor ka nisur, por po zhvillohet me vështirësi për shkak të vonesave në shpërndarjen e materialeve mësimore.
 
“Ky vit shkollor ka filluar me munges te librave.“Mungesa e librave lidhet me faktin që,sipas konceptit të ri, tani fëmijët vazhdojnë në të njëjtin koncept deri në klasën e shtatë. Nga ministira e arsimit ka njoftuar se të gjitha librat e klasës së shtatë do të jenë libra të rinj dhe nuk duhet të punohet më me librat e vjetër, që i përkisnin konceptit të mëparshëm. E njëjta gjë vlen edhe për klasën e gjashtë. Megjithatë, kemi filluar me një bazë, edhe pse arsimtarët po përballen me sfida, sepse jo të gjithë librat kanë mbërritur në kohën e duhur”, u shpreh drejtoresha Albana Cufaj Zhuta.
 
Sipas drejtoreshës, vonesat në shpërndarjen e librave janë vërejtur që nga fillimi i vitit shkollor, ndërsa mësimdhënësit po angazhohen të realizojnë mësimin sipas programeve të miratuara, pavarësisht mungesave të materialeve.
 
“Sfidat e arsimtarëve lidhen me faktin se duhet të punojnë me planprograme të miratuara nga Byroja për Zhvillim të Arsimit, të gjejnë mënyra për të organizuar orët e mësimit. Ne paralelet shqiptare , mungesat e librave janë të mëdha. Edhe në paralelët maqedonase ka probleme, ndërsa tek paralelet turke, për shkak se kanë më pak nxënës, situata është pak më e mirë dhe mungesat janë më të vogla”, theksoi drejtoresha Zhuta.
 
Nga Ministria e Arsimit ende nuk është dhënë një afat i saktë për përfundimin e shpërndarjes së librave, ndërsa në shumë shkolla mësimi po zhvillohet me materiale të përkohshme dhe ndihma digjitale.
 
FITORE ISTREFI