Botë
Lindja e mesme, Hamasi do të dorëzojë pengjet izraelite nesër
12.10.2025 13:54
Hamasi njoftoi se do të fillojë lirimin e 48 pengjeve të mbetura...

Hamasi njoftoi se do të fillojë lirimin e 48 pengjeve të mbetura izraelite nga Gaza nesër, si pjesë e fazës së parë të planit të paqes të Trump. Dorëzimi do të kryhet nëpërmjet Kryqit të Kuq dhe Forcave Mbrojtëse të Izraelit. Tel Avivi është gati për veprim nëse marrëveshja shkelet.
"Ne jemi të përgatitur për çdo zhvillim, mbetemi vigjilentë dhe gati për veprim derisa të kthehen të gjithë pengjet tona", u shpreh komandanti i ushtrisë izraelite.
Rreth 200 trupa amerikane kanë mbërritur në Izrael për të monitoruar armëpushimin dhe për të ofruar mbështetje humanitare dhe logjistike. Shpërndarja e ndihmave ka filluar në Gaza, ndërsa rrënojat po pastrohen në të gjithë rripin. Rreth gjysmë milioni njerëz janë kthyer deri më tani, duke qenë dëshmitarë të shkatërrimit.
"Nuk e di se si do të jetojmë. Pa ujë, pa energji elektrike, pa shtëpi dhe rrugë", theksoi banori i Khan Yunis, Mohammad Abu Rish.
"Khan Younis është shkatërruar. Kjo zonë nuk është më e përshtatshme për njerëz. Nuk ka vend as për një tendë", u shpreh banori i Khan Yunis, Azmi Al-Akkad.
Mbrëmë në në Tel Aviv u mbajt një tubim i madh,ku mori pjesë i dërguari special i SHBA-së, Witkoff, i shoqëruar nga vajza e Trump, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj, Kushner.
"Ne të gjithë i kemi një borxh të thellë mirënjohjeje Presidentit Trump për refuzimin e pranimit të idesë se paqja në Lindjen e Mesme është e paarritshme. Guximi juaj ka prekur botën, dhe mua gjithashtu. Për pengjet - vëllezërit dhe motrat tona, ju po ktheheni në shtëpi", theksoi i dërguari special i presidentit Donald Trump, Steve Witkof.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Katz, njoftoi se lirimi i pengjeve do të pasohet nga një operacion për shkatërrimin e tuneleve të Hamasit, i cili do të kryhet nga forcat izraelite dhe një mekanizëm ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Një samit paqeje për t'i dhënë fund konfliktit do të mbahet nesër në Egjipt, ku do të marrin pjesë liderë botërorë, përfshirë Trump, Macron, Starmer dhe Guteresh.
VLORA LATIFI TOPOJANI
