Sonte Suedi-Kosovë, Foda me kundërsulme deri te rezultati pozitiv

13.10.2025 10:52

Sonte luhen dy ndeshje të Grupit B, në të cilin tri përfaqësuese janë në garë për pozitën e dytë e cila siguron pjel offin...

Pas barazimit pa gola me Slloveninë, përfaqësuesja e Kosovës rikthehet sonte në aksion. Kosova do të përballet me Suedinë në Getoborg, në kuadër të xhiros së katërt të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Kjo ndeshje është një ‘finale’ për  Kosovën, në garën për vendin e dytë në Grupin B, pozitë që dërgon në ‘Play-Off’. 
 
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka thënë se nuk do ta ndryshojnë mënyrën e lojës kundër Suedisë. Ai ka theksuar se Kosova do të paraqitet me mbrojtje të ngjeshur dhe nëpërmjet kundërsulmeve do të kërkojë të arrijë deri te goli. Njëjtë kishte bërë në Prishtinë muajin e kaluar. Kosova kishte fituar me rezultat 2:0 ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Suedia, ka vendosur që të rikthehet pas plot 16 vitesh të luajë një ndeshje në stadiumin legjendar Ullevi, i cili është ndërtuar për Botërorin e 1958 ku u mbajt edhe takimi i pare. 
 
Kosova, Suedia dhe Sllovenia janë në garë për vendin që siguron paraqitjen në plejof të kualifikimeve të Botërorit që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Zvicra është e para me pikë maksimale 9, Kosova ka 4, Sllovenia 3 dhe Suedia 1 pikë dhe të gjitha kanë nga 3 ndeshje të luajtura. (Gazetar: Safet Admei)