Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, VMRO-DPMNE mbajti tubim në Shtip
13.10.2025 13:44
Koalicioni i VMRO-DPMNE-së mbrëmë prezantoi kandidatin për kryetar të komunës së Shtipit, Ivan Jordanov...

Koalicioni i VMRO-DPMNE-së mbrëmë prezantoi kandidatin për kryetar të komunës së Shtipit, Ivan Jordanov, dhe listën e këshilltarëve komunalë në këtë qytet. Jordanov, i cili garon për mandat të dytë, u zotua para banorëve se do të vazhdojë me realizimin e projekteve infrastrukturore, duke investuar në mënyrë të barabartë në çdo vendbanim dhe fushë dhe se me mbështetjen e pushtetit qendror dhe ndihmën e qytetarëve do të vazhdojë të ndërtojë të ardhmen e këtij qyteti. Për të arritur këtë, Jordanov u bëri thirrje të gjithë banorëve, e në veçanti të papërcaktuarve, që më 19 tetor masovikisht të votojnë numrin 9 dhe VMRO-DPMNE-në.
“Nuk do t’i numëroj projektet e realizuara gjatë viteve të kaluara, sepse çdonjëri prej jush ka pasur mundësi t’i shikojë ato dhe punët e bëra. Gjatë këtyre viteve ne investuam shumë përkushtim, mund dhe dashuri, përjetuam fitore, humbje, por edhe sfida të ndryshme, por dëshiroj të porosis se thelbi i këtyre zgjedhjeve është që ne të jemi më mirë se nga e kaluara dhe gabimet që i patëm si pushtet lokal, t’i korrigjojmë.”, - deklaroi kandidati për kryetar në qytetin e Shtipit -VMRO-DPMNE, Ivan Jordanov.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u tha banorëve se Jordanov është dëshmuar si profesionist, se dinë të menaxhojë dhe punojë për qytetin dhe interesat e banorëve, andaj ai ka mbështetjen e tij. Mickoski po ashtu u ndal edhe tek të arriturat e kësaj qeverie 15-muajshe, duke thënë se falë politikave konkrete të VMRO-DPMNE-së është normalizuar shteti, si në aspekt ekonomik dhe politik, po ashtu dhe social. Janë rritur pensionet pagat e të të punësuarve, janë investuar miliona euro në pushtetin lokal, ndërsa gjatë katër viteve të fundit të gjithë kryetarët e deritanishëm nga radhët e kësaj partie kanë ndërtuar: 770 kilometra rrugë në vlerë prej 100 milionë eurosh, 47 kilometra rrjet ujësjellës, 91 kilometra rrjet kanalizues, 7 tregje të gjelbra dhe 12 stacione filtruese.
“Në vitin 2024 kemi arritur nivelin më të lartë historik të investimeve direkte të huaja 1 miliard e 255 milionë euro, disa prej tyre përfunduan në investime këtu në Shtip, me çka Maqedonia përsëri u bë lidere në rajon, ndërsa para një vit e gjysmë, ishin në fund të listës, e tani jemi një ndër tre vendet e Evropës me kokë banori, që të mos keqinterpretohemi nga keqdashësit.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
VMRO-DPMNE mbrëmë mbajti tubime edhe në Çuçer Sandevë të Shkupit dhe Shën Nikollë, ku Mickoski po ashtu ftoi banorët të votojnë opsionin e tyre politik në zgjedhjet e 19 tetorit.
REXHEP QAMILI
