Botë
Festë ne Tel Aviv, Hamasi liroi të gjitha pengjet izraelite
13.10.2025 14:35
Hamasi ka liruar të gjitha pengjet izraelite të gjalla, sipas marrëveshjes së fazës së parë të planit të paqes së propozuar nga Donald Tramp....

Hamasi ka liruar të gjitha pengjet izraelite të gjalla, sipas marrëveshjes së fazës së parë të planit të paqes së propozuar nga Donald Tramp. Të gjithë janë kthyer në Izrael. Rreth 65.000 njerëz u mblodhën në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv për të mirëpritur lajmin e lirimit të pengjeve.
“Shpresojmë që të gjithë të kthehen. Kjo është ditë e re që e kthen jetën tonë në normalitet. Kjo ditë për ne është shumë e rëndësishme. Zgjati dy vjet, por tani është koha për t’u kthyer në jetën normale.”, - tha djali i një pengu të liruar, Omri Lifszyc.
“Jam shumë, shumë i lumtur, më është hequr një barrë e madhe. Mendoj se kjo mund të shihet në të gjithë sheshin. Populli izraelit është i lumtur. Është një mëngjes i veçantë, ndoshta mëngjesi që do ta ndryshojë mënyrën se si kemi jetuar deri tani në këtë vend.”, - tha vëllai i një pengu të liruar, Gili Roman.
“Kemi kaluar dy vite shumë të vështira dhe të dhimbshme, kemi qenë pranë familjes së tyre në çdo moment. Tani mezi presim ta shohim Elkanan tonë.”, - u shpreh miku u pengut, Elkana Bohbot, Shlomi Menashe.
Për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, kjo është një ditë historike që shumëkush nuk besonte se do të vinte.
“Ky është një moment historik për të cilin shumë nuk besonin se do të ndodhte. Por, luftëtarët tanë besuan. Edhe unë besoja.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
I pranishëm në Izrael ishte edhe presidenti Tramp, ku mbajti një fjalim në parlamentin izraelit, Kneset, dhe më pas Trampi do të udhëtojë drejt Egjiptit për samitin e paqes, që ai e kryeson së bashku me presidentin egjiptian, ku po diskutohet marrëveshja për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.
“Kjo është një ditë e madhe, një fillim i ri dhe mendoj se nuk ka pasur ndonjë ngjarje të tillë, nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Jemi shumë të lumtur për pengjet e liruar.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Trampi gjithashtu u shpreh se lufta në Gazë zyrtarisht ka përfunduar. Sipas marrëveshjes, Hamasi gjithashtu dorëzon edhe mbetjet mortore të 28 personave të tjerë. Në këmbim, Izraeli do të lirojë rreth 2.000 të burgosur dhe të ndaluar palestinezë.
FARIJE DAUTI BAKIU
