Zgjedhjet lokale në Kosovë, zgjidhen 21 kryetarë, 17 janë në balotazh
Qytetarët e Kosovës, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit...

Qytetarët e Kosovës, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit votuan për kryetarë të 38 komunave dhe përbërjen e re të kuvendeve komunale.
Sipas KQZ-së, 791 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës së tyre, e cila përbën 39.07% të trupit votues, e që shënon pjesëmarrje pak më të ulët krahasuar me zgjedhjet e kaluara lokale.
Sipas rezultateve preliminare në 21 komuna është përmbyllur gara për kryetarë që në raundin e parë, ndërsa 17 komuna të tjera do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor, ndërsa ato tregojnë një garë të fortë mes partive kryesore, pa fitues absolut në nivel të vendit. PDK-ja dhe LVV fituan nga tre komuna, LDK 2, ndërsa AAK dhe Nisma nga një. Prishtina do të ketë balotazh mes Përparim Ramës së LDK-së dhe Hajrulla Çekut nga LVV.
Kryeministri në detyrë dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka kërkuar hetim për rastin e Mitrovicës së Jugut, teksa shprehet se në këtë zonë ka pasur tendencë për ndërhyrje në zgjedhjet atje, ndërsa tha se partia e tij mund të fitojë Gjilanin pa balotazh, pasi të numërohen fletëvotimet e diasporës.
“Në këto zgjedhje, bazuar në rezultatet paraprake, LVV ka fituar Podujevën, Kamenicën dhe Shtimen pa balotazh, dhe me votat e diasporës mund të shtojmë edhe Gjilanin.”.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, mbrëmë nga Mitrovica e jugut, tha se qytetarët e Mitrovicës treguan se dinë mirë, bëjnë mirë dhe mund të bëjnë më mirë.
“Faleminderit për besimin dhe mbështetjen e fortë që na keni dhënë duke na bërë partinë fituese të këtyre zgjedhjeve.”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij po kryeson në 12 komuna, duke vënë në dukje se pret që votat e diasporës t’i sigurojnë fitoren Gazmend Muhaxherit në Pejë. Ai e përgëzoi Përparim Ramën për atë që e quajti një “kthim historik” në Prishtinë.
“Në Pejë kemi 49% dhe presim të kalojmë 50% me votat e diasporës. E përgëzoj Përparim Ramën për kryesimin në Prishtinë. LDK është përpara në 12 komuna, kjo është një shenjë e një rikthimi të madh pas 12 vitesh.”.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e fundit për media deklaroi se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me rregullat zgjedhore, duke theksuar se gjatë ditës ka pasur probleme teknike, të cilat janë zgjidhur në mënyrë të shpejtë dhe nuk kanë ndikuar në ndërprerje të procesit zgjedhor.
Në ndërkohë ka filluar edhe numërimi i votave për asambleistët, të cilat numërohen në qendrat komunale të numërimit.
Zyra e Prokurorit të Shtetit të Kosovës vendosi rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë në të gjithë vendin për të monitoruar parregullsitë e mundshme, ndërsa Policia e Kosovës, në bazë të planit operativ garantoi siguri dhe mbarëvajtje të procesit. Udhëheqësit e shtetit dhe ambasadorët e akredituar i kanë uruar qytetarët e vendit për zgjedhje të qeta dhe demokratike. (Leunora Kaliqi, TVM2)
