Zgjedhjet lokale 2025, AKI mbajti tubim në Haraçinë, Çashkë e Gostivar
Aleanca Kombëtare për Integrim...

Aleanca Kombëtare për Integrim mbajti tubim në Haraçinë, ku kërkoi votën për kandidatin e saj për kryetar komune, Skender Isufi, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë. Duke shpalosur ofertën e tij programore, Isufi tha se nuk ka hyrë në këtë garë për të kërkuar privilegj, por për të ofruar shërbim.
Ai tha se programi që ofron nuk është një listë dëshirash, por një plan real i matur dhe i realizueshëm.
Isufi tha se programi i tij është përpiluar në bazë të analizave të nevojave të qytetarëve dhe është përgatitur një program që mund të realizohet, e jo vetëm të premtohet. Isufi u zotua se çdo program i filluar do të përfundojë me sukses, sepse siç tha ai, përgjegjësia ndaj qytetarëve është mbi gjithçka.
“Këto zgjedhje janë prova jonë e maturisë politike, është koha të tregojmë se Haraçina di të zgjedhë me mençuri, me dinjitet dhe me zemër për vendin e vet. Prandaj, unë ju bëj thirrje nga zemra, të bashkohemi rreth vizionit të përbashkët, të mos lejojmë askënd të na ndajë e as të na përçajë, sepse vetëm të bashkuar mund t’i japim Haraçinës zhvillimin që e meriton. Më 19 tetor, dita jonë e madhe do të vijë.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të komunës së Haraçinës, Skender Isufi.
Të pranishmëve në Haraçinë iu drejtua edhe njëri nga liderët e këtij koalicioni, Ziadin Sela, i cili tha se Skender Isufi dhe lista e kandidatëve për këshilltarë do të jenë vazhdimësi e punëve të mira për Haraçinën.
“Zgjedhje lokale të rëndësishme, të rëndësishme për shkak se aty është rruga, lagja, shkolla, çerdhja, uji i pijshëm, kanalizimi, ambienti jetësor, e shumë e shumë gjëra të rëndësishme, të cilat ne na tangojnë. Por, pa një faktor politik shqiptar të vendosur që buron nga nevoja e shqiptarëve, këto gjëra të rëndësishme kurrë nuk arrihen.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Para të pranishmëve në Haraçinë folën edhe liderët tjerë të Aleancës Kombëtare për Integrim, si kryetari i partisë Populli, Skender Rexhepi, dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, të cilët kërkuan votën e haraçinasve për kandidatët e këtij koalicioni për kryetarë komune dhe këshilltarë komunalë në komunën e Haraçinës.
Aleanca kombëtare për Integrim ka mbajtur tubim edhe në komunën e Çashkës, ku liderët e këtij koalicioni kanë kërkuar nga banorët e kësaj komune që të votojnë për kandidatin për kryetar të Çashkës, Suat Shaqiri, i cili siç u tha, nëse mobilizohen votuesit shqiptarë, do të jetë kryetari i parë shqiptar i komunës së Çashkës. Njëherësh u kërkua votë edhe për listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë të AKI-së në Çashkë.
Aktivitete parazgjedhore ky koalicion ka mbajtur edhe në Gostivar, ku kërkon votën për kandidatin për kryetar, Valbon Limani, dhe listën për këshilltarë komunalë. Ndërsa kandidati për kryetar të Çairit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, ka mbajtur tubim në lagjen e Gazi Babës, ku ka shpalosur programin e tij për këtë lagje dhe komunën Çairit në përgjithësi. (Gyltene Sinani, TVM2)
