Zgjedhjet lokale 2025, VLEN-i tubime në Saraj dhe Kumanovë

13.10.2025 17:10

Koalicioni VLEN ka vazhduar fushatën në Komunën e Sarajit...

Koalicioni VLEN ka vazhduar fushatën në Komunën e Sarajit, ku për kryetar komune garon me Muhamed Elmazin, ndërsa për kryetar të Shkupit me Bashkim Bakiun. Duke folur para të pranishmëve, kandidati për kryetar të Sarajit, Muhamed Elmazi, tha se planprogrami i tij është zëri i qytetarëve.

Ai tha se planprogramin e ka përpiluar në bazë të vizitave derë më derë e lagje më lagje, ku janë dëgjuar kërkesat e qytetarëve.

“Nëse nuk do ta zgjidhim bashkërisht me ju ujin e pijshëm për një mandat të plotë, asnjëherë nuk do të paraqitem të kërkoj mbështetje politike. Së bashku me qeverinë e RMV-së dhe me Ministrinë e Ekologjisë do ta zgjidhim gjithë infrastrukturën nëntokësore, sa i përket ujit të pijshëm dhe kanalizimit fekal dhe atmosferik. Parashohim në Saraj rrugën 20 apo rrugën Dardania siç njihet, ta shndërrojmë në bulevard.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Sarajit, Muhamed Elmazi.

Elmazi njëherësh theksoi se parashihet rruga që lidh Radushën, Svillaren e Poshtme, Dvorçen dhe Kondovën, të lidhen me rrugë rajonale, e cila është në përfundim e sipër dhe do të kushtojë mbi 27 milionë euro.

Po ashtu ai premtoi edhe lidhjen e komunës së Sarajit me dy komunat fqinje Jogunocin dhe Tearcën.

Elmazi po ashtu theksoi angazhimin për ta kthyer liqenin Treska dhe kanjonin e Matkës në qendra turistike.

Ai njëherësh tha se pjesë e programit të tij është edhe ndërtimi i katër shkollave të reja në Matkë, Shishovë, Llaskarcë dhe Svillare të Epërme. Po ashtu parashihen edhe tre çerdhe të reja në Gërçec, në Bukoviç dhe Svillare të Poshtme.

Votën për kandidatët e koalicionit VLEN për Komunën e Sarajit e kërkoi edhe njëri nga liderët e këtij koalicioni, Izet Mexhiti, sipas të cilit në këto zgjedhje lokale VLEN-i garon për të fituar shqiptarët. Ai njëherësh theksoi se BDI e ka dorëzuar lojën në Saraj, pasi kandidati i AKI-së për këtë komunë vjen nga partia e Arben Taravarit.   

“Qytetarët e Sarajit, anëtarësia e sinqertë e BDI-së, ata të cilët i kanë besuar idesë, i kanë besuar vizionit të dikurshëm BDI-UÇK, duhet sot ta braktisin atë anije që po fundoset dhe të shkojnë radhëve të Muhamed Elmazit, sepse atë do ta kenë shërbëtorin e  popullit dhe atë do ta kenë idealin e vërtetë. Ai është njeriu i cili ka përveshur krahët të punojë për Sarajin. Dhe, Muhamed Elmazi nuk është vet.”, - theksoi kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.

Mexhiti tha se prapa Muhamed Elmazit qëndron edhe qyteti i Shkupit, ministritë dhe Qeveria, të cilin do ta ndihmojnë në realizimin e projekteve të shumta në të mirë të Komunës së Sarajit.

Koalicioni VLEN ka mbajtur tubim edhe në qytetin e Kumanovës, ku ka kërkuar përkrahjen e votuesve për kandidatin për kryetarë komune, Arben Etemi, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë, të cilës i prinë bartësi i listës, Skender Osmani.

Votën për kandidatët e koalicionit VLEN për kryetar komune dhe këshilltarë komunalë në Kumanovë e kërkuan edhe liderët e këtij koalicioni, Izet Mexhiti, Zeqirja Ibrahimi dhe Arben Fetahu. (Fitore Demolli, TVM2)