Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, VMRO-DPMNE mbajti tubim në Veles

14.10.2025 13:46

Ndërtimi i urës së re në fshatin Bashinë, një qarkore e re në Veles, përfundimi i garazhit shumëkatësh nëntokësor...

Ndërtimi i urës së re në fshatin Bashinë, një qarkore e re në Veles, përfundimi i garazhit shumëkatësh nëntokësor, mbrojtja ekologjike e liqenit “RINIA”, si dhe një shesh i ri dhe park pyjor në Keraminda, këto janë disa prej prioriteteve më kryesore të kandidatit për kryetar të Komunës së Velesit nga radhët e koalicionit VMRO-DPMNE, i cili garon për mandat të dytë në këtë qytet. Kolev para banorëve u përbetua se do të punojë fuqishëm për t’i realizuar këto projekte, duke mos i harruar t’ua zgjidhë edhe çështjet  tjera të banorëve që do t’ua përmirësojnë dukshëm jetën e përditshme të tyre, qoftë në fushën e arsimit, kulturës, sportit, infrastrukturës rrugore. Tha se do të mbështesë sipërmarrësit, kategoritë e rrezikuara, do të angazhohet për hapjen e vendeve të reja të punës dhe më shumë mundësi për të rinjtë, ndërsa në fokus e ka edhe rikonstruimin e stacionit zjarrfikës, si dhe hapjen  një qendre të re kulturore. 
 
“Do të krijojmë më shumë mundësi për të rinjtë dhe sipërmarrësit, do ta avancojmë kujdesinë tonë për kategoritë më të rrezikuara, do të vazhdojmë të zbukurojmë qytetin edhe me krijimin e kushteve bashkëkohore për arsim, sport dhe kulturë. Këtë mandat të dytë është privilegj, por njëkohësisht edhe përgjegjësi, pasi që ky mandat i dytë është mundësi për realizimin e ideve dhe projekteve të reja dhe ruajtjen e asaj që e filluam bashkërisht. Velesi meriton të ketë konsistencë.”, - deklaroi kandidati për kryetar në qytetin e Velesit nga VMRO-DPMNE, Marko Kolev.
 
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u bëri thirrje banorëve që më 19 tetor masovikisht të mbështesin Marko Kolevin, pasi që ai garanton zhvillim më të mirë për Velesin. Mickoski njëherësh kritikoi kreun e LSDM-së, Venko Filipçen, duke thënë se në këtë fushatë ai ka humbur rrugën në oborrin e vet, duke udhëhequr një fushatë të zezë dhe duke mos ditur se çfarë flet dhe vepron.
 
“Venko nga Strumica, në prani të gurusë së tij, përjetuam të flasë për moral dhe etik në politikë. Dhe, ndërsa ai fliste, njerëzit u habitën dhe thjesht dëgjuan me mosbesim njeriun, guruja e të cilit ishte në radhët e para si flet për ndershmëri, për sundimin e ligjit, për moral dhe etikë në politikë. A është Filipçe i vetëdijshëm çfarë flet, ku ndodhet dhe çfarë mendon populli për këto deklarata të tij?", - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski foli edhe për të arriturat e Qeverisë nën drejtimin e tij 15-mujor, duke thënë se në këtë periudhë është normalizuar shteti, si në aspekt ekonomik, politik, po ashtu dhe social. Tha se pushteti qendror vazhdimisht mbështet pushtetin lokal, se nëpër komunat kanë filluar të zbatohen rreth 840 projekte infrastrukturore në vlerë prej 10 miliardë denarë. 
 
REXHEP QAMILI