Maqedoni
Von der Lejen, të mërkurën do të vizitojë Shkupin, Mickoski: Pres ndonjë rekomandim nga BE
14.10.2025 15:10
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, të mërkurën viziton Maqedoninë e Veriut...

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, të mërkurën viziton Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Hristijan Mickoski pret që në takim të riafirmohet pozicioni strategjik i Shkupit zyrtar, anëtarësimin e vendit në BE. Kryeministri pret nga BE-ja rekomandim konkret.
“Pres të riafirmojmë qëndrimet tona, se qëllimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi i plotë në BE. Disi, gjatë 25 viteve të fundit, sikur kemi humbur dalëngadalë fytyrën, duke ecur në atë rrugë, sikur pak mbeti nga dinjiteti ynë. Shpresoj që të ketë një zgjidhje edhe nga BE-ja, në mënyrë që sado pak të shpëtojmë fytyrën para se të hyjmë në BE, sepse me fytyrën dhe autenticitetin e humbur, nuk u mbarojmë punë as atyre. Kjo qeveri nuk ka ndërmend të humbasë më dinjitet.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kryeministri Mickoski ka përshëndetur deklaratën e një dite më parë të kryetares së Komisionit Evropian, Von der Lejen, se Bashkimi Evropian do të hapë dy ‘fabrika AI’, qendra për zhvillimin e inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor, njëra në Maqedoninë e Veriut dhe tjetra në Serbi. Mickoski tha se qeveria vazhdimisht ka punuar që të realizohet ky projekt. Bëhet fjalë për bashkëfinancim prej rreth 5 milionë euro. Ekspertët, studentët dhe profesionistët vendorë do të mund t’i shfrytëzojnë dhe thithin resurset që i ka vetë BE-ja në spektrin e inteligjencës artificiale.
MERAL ISMAILI
