Maqedoni
Kanë nisur punimet projektuese, rindërtimi i Stacionit Hekurudhor - Shkup
14.10.2025 15:37
Kanë nisur punimet projektuese për rindërtimin e plotë të Stacionit Hekurudhor në Shkup...

Kanë nisur punimet projektuese për rindërtimin e plotë të Stacionit Hekurudhor në Shkup, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Zelenikovë – Veles, si dhe për sanimin e rrëshqitjeve të dheut dhe riparimin e urës mbi lumin Cërna Reka, e cila u dëmtua pjesërisht në vitin 2022. Drejtori i HM Infrastrukturë, Sinisha Ivanovski, deklaroi se rindërtimi i Stacionit Hekurudhor pritet të kalojë fillimisht në fazën e projektimit, që do të zgjasë të paktën një vit. Pas kësaj, do të vijojë sigurimi i financimit dhe më pas fillimi i punimeve ndërtimore. Sipas tij, e gjithë puna duhet të përfundojë brenda një periudhe prej pesë deri në gjashtë vjetësh, paralelisht me nisjen e funksionimit të linjës së hekurudhës së shpejtë përgjatë Korridorit 10, si dhe degës që do të lidhë stacionin me Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
“Nëse e përfundojmë projektin brenda një viti ose një viti e gjysmë, atëherë financimi do të jetë ose me buxhetin e shtetit ose me një kredi nga huadhënësit klasikë, siç janë BERZH, BEI, bankat komerciale, por nuk përjashtohet mundësia e hyrjes në një partneritet strategjik me Britaninë e Madhe, me të cilën do të realizojmë shumë projekte kapitale infrastrukturore.”, - deklaroi drejtor i HM Infrastrukturë, Sinisha Ivanovski.
Në aspektin arkitektonik, stacioni hekurudhor u cilësua si objekt kult i trashëgimisë së arkitekturës brutaliste, por i lënë pas dore. Dekanja e Fakultetit të Arkitekturës tha se objekti ka potencial të jashtëzakonshëm për të qenë edhe një platformë kulturore e jetës publike.
“Me ndërhyrjet në përmirësimin e përmbajtjes përmes së cilës objekti do të shndërrohet në një qendër sociale dhe një qendër dhe platformë e hapur për jetën kulturore dhe publike të qytetarëve të Shkupit, të cilët do ta frekuentojnë këtë hapësirë edhe për të ndjekur ngjarje të ndryshme. Lidhja me hekurudhën e shpejtë evropiane është një gjë e jashtëzakonshme, e kemi pritur me vite dhe ua kemi borxh brezave që vijnë pas nesh.”, - theksoi dekanja e Fakultetit të Arkitekturës, Aneta Hristova Popovska.
Ajo paralajmëroi se do të kryhet rindërtim i plotë, duke ruajtur pamjen bazë, siç është projektuar fillimisht në vitin 1981 nga Kenzo Tange, por me elemente të reja bashkëkohore.
ARLINDA BAFTIU
