Përmbytje në Meksikë, 64 persona kanë humbur jetën, dhjetëra rezultojnë të zhdukur

14.10.2025 17:08

Të paktën 64 persona kanë humbur jetën....

Të paktën 64 persona kanë humbur jetën dhe po aq të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve shkatërruese që kanë përfshirë rajonet Veracruz dhe Hidalgo në Meksikë.

Qindra shtëpi janë shkatërruar plotësisht, veçanërisht në zonat përgjatë lumenjve Papaloapan në Veracruz dhe Tula në Hidalgo, të njohura për ndjeshmërinë e tyre ndaj përmbytjeve gjatë periudhave me shi të dendur.

Autoritetet njoftojnë se shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar dëme të mëdha, me 29 viktima në Veracruz pranë Gjirit Meksikan dhe 21 të vdekur në Hidalgo, në veri të kryeqytetit Meksiko.

Forcat e sigurisë vijojnë operacionet e evakuimit dhe ndihmës në zonat më të prekura, ndërsa situata mbetet kritike.

"Afër që nuk mbetëm, uji do të na kapte. Kur dolëm, uji kishte dalë jashtë dhe sirena po vinte. Ikëm dhe nuk shpëtuam asgjë, vetëm gjërat më të nevojshme. Ishte shumë shqetësuese, shumë njerëz mbetën në lagje, disa edhe humbën jetën.", - tha një banor.

"Na thanë se lumi në anën tjetër ishte plot dhe u larguam me pak rroba që mundëm të merrnim. Kur u kthyem ditën tjetër, nuk mundëm të hyjmë, sepse ishte përmbytur. Nuk shihej shtëpia ime, dukej vetëm një pjesë e vogël e saj.", - tha një banor tjetër.

Autoritetet meksikane dërguan mijëra ushtarë për të ndihmuar në evakuimin dhe pastrimin e zonave përgjatë brigjeve të Gjirit Meksikan dhe në shtetet qendrore, që u prekën rëndë nga shirat, të cilët shkaktuan rrëshqitje dhe përmbytje. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)