Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, AKI mbajti tubime në Studeniçan dhe Saraj

14.10.2025 18:50

Aleanca Kombëtare për Integrim mbajti tubim në komunën e Studeniçanit...

Aleanca Kombëtare për Integrim mbajti tubim në komunën e Studeniçanit, ku kërkoi përkrahje për kandidatin e saj për kryetar komune, Ejup Abazi, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë.
 
Duke shpalosur programin e tij, Abazi tha se problemet me të cilat përballen banorët e komunës së Studeniçanit i ndjen në lëkurën e tij. Ai tha se nuk ka dalë para qytetarëve për të premtuar dhe nëse merr mandatin më pas t’i harrojë premtimet.
 
Ai tha se fjala premtim nuk do të mbetet fjalë e humbur pas zgjedhjeve, por, siç tha ai, do të jetë besëlidhje e përbashkët, ashtu siç e kanë respektuar të parët tanë besën e dhënë. Komuna e Studeniçanit duhet të udhëhiqet nga një menaxher që e din rëndësinë e fjalës së dhënë, tha Abazi.  
 
“Problemi me ujësjellësin në Studeniçan, Koliçan të Poshtëm, Batincë dhe Draçevicë, në zgjedhjet e ardhshme do të jetë çështje e mbyllur. Rrugët dhe rrugicat e vendbanimeve në mënyrë të barabartë, të gjitha të ndërtuara dhe të meremetuara, ndërtimi i një çerdhe në Studeniçan dhe Batincë, shkolla me kushte moderne për zhvillimin e arsimit, organizim të transportit të nxënësve.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Studeniçanit, Ejup Abazi.
 
Abazi njëherësh theksoi se kthetrat e politikës do të jenë sa më larg institucioneve arsimore. Ai njëherësh premtoi përkrahje administrative për bujqit, që ata të mund ta modernizojnë veprimtarinë e tyre. Po ashtu Abazi premtoi hapësira të reja për investim, hapje të vendeve të reja të punës, si dhe lidhjen e komunës së Studeniçanit me korridorin 10.
 
Në tubimin në Studeniçan, të pranishmëve iu drejtua edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili theksoi se shqiptarët këtu nuk janë minoritet apo të ardhur nga ndonjë vend, shqiptarët janë edhe kufi ndërtues edhe shtet ndërtues.
 
Aleanca Kombëtare për Integrim është bërë bashkë, jo për një aksion ditor, por për një mision që na pret e që nuk mund të kryhet brenda ditës, anëtarësimi në BE. 
 
“Për t’u anëtarësuar vendi në BE, duhet të vazhdojë të punojë me këmbëngulje, siç ka punuar 22 vitet e kaluara. Marrëveshja e Ohrit, Ohri e dërgoi Maqedoninë në NATO. Përmes Ohrit do të shkojë Maqedonia të anëtarësohet në BE. S’ka rrugë tjetër, nuk shkohet në BE nga Moska dhe Beogradi.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Për të mos u rrezikuar dhe mos u rrënuar Marrëveshja e Ohrit, për të mos u hequr gjuha shqipe dhe përfaqësimi i drejtë nëpër institucione, janë bërë bashkë partitë e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim, theksoi më tej Ahmeti.
 
AKI mbajti tubim edhe në komunën e Sarajit, ku shpalosi programin e saj parazgjedhor, si dhe kërkoi përkrahje për listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë dhe për kandidatin për kryetar të Komunës së Sarajit, Blerand Ramadani. 
 
GYLTENE SINANI