Maqedoni

Kryetarja e KE-së në Shkup, pasdite, takime me krerët e shtetit

15.10.2025 14:14

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, pas Prishtinës vjen në Shkup...

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, pas Prishtinës vjen në Shkup në kuadër të turit të saj diplomatik në kryeqendrat ballkanike. Sipas burimeve zyrtare të zyrës së BE-së në Shkup, vizita e presidentes së KE-së është një mundësi për të rikonfirmuar mbështetjen e BE-së të vendeve aspirante rajonale dhe qasjen graduale në tregun e vetëm. Temë kryesore do të jetë edhe Plani për Rritjen e Ballkanit Perëndimor. Për vendin tonë në veçanti pritet të diskutohet edhe ngërçi integrues i mbetur në Kuvend, i kushtëzuar me votimin e ndryshimeve kushtetuese.
 
Kryeministri Mickoski një ditë më parë ka thënë se nga takimi me shefen e KE-së pret riafirmim të pozicionit eurointegrues, duke siguruar se vendi ynë mbetet i përqendruar në  strategjinë shtetërore për integrim të plotë në familjen evropiane. Ai ka shtuar se rrugëtimi në Bashkimin Evropian njëkohësisht kërkon të shoqërohet me dinjitet. Shefi i Qeverisë po ashtu ka përshëndetur njoftimin e kryetares së Komisionit Evropian, Von der Lejen, lidhur me hapjen e dy qendrave për zhvillimin e inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.
 
Pasdite, në kryeqendrën tonë, shefja e ekzekutivit të BE-së, do të ketë takime zyrtare me kryeministrin Hristijan Mickoskin, kryeparlamentarin Afrim Gashi dhe kryetaren e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU