Maqedoni
Prilep, qasje në shërbimet elektronike
15.10.2025 14:29
Edhe banorët e Prilepit do të kenë qasje në portalin e shërbimeve elektronike uslugi.gov.mk...

Edhe banorët e Prilepit do të kenë qasje në portalin e shërbimeve elektronike uslugi.gov.mk, platformë kjo përmes së cilës qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të marrin informacion në lidhje me shërbimet publike nga autoritetet kompetente dhe subjektet e tjera që ofrojnë shërbime elektronike përmes këtij portali. Portali ofron kushte që të gjithë qytetarët të përdorin një adresë email-i dhe një fjalëkalim për regjistrim në sistemet e ndryshme në vend.
“Nga shërbimet më të përdorura, ajo e nxjerrjes së certifikatës së lindjes, deri te vërtetimi për shtetësi, si dhe vërtetim se nuk është gjykuar me aktvendim, të gjitha shërbimet në një vend. Pastaj presim që zonat për internet pa pagesë do të aktivizohen për 6 muaj, zonën e parë do ta kemi pas 6 muajsh dhe presim që 10 nga shërbimet më të kërkuar t’i bëjmë të qasshme brenda 2 vitesh këtu në Prilep.”, - theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Kjo mundësi është përdorur deri më tani nga mbi 246 mijë qytetarë në disa institucione. Ditë më parë ministria informoi se portali është i disponueshëm në fazën e testimit edhe në formë aplikacioni në telefonat celular. Aplikacioni u lejon qytetarëve të kenë dokumentet e tyre më të rëndësishme, përfshirë një kartë identiteti, direkt në telefonin e tyre celular. Duke skanuar kodin QR në Android ose IOS, qytetarët do të jenë në gjendje të shkarkojnë aplikacionin dhe të regjistrohen.
ARLINDA BAFTIU
