Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, AKI mbajti tubime në Kërçovë dhe Strugë

15.10.2025 14:44

Në tubimin e Aleancës Kombëtare për Integrim në komunën e Kërçovës, kandidati për kryetar komune, Fatmir Dehari...

Në tubimin e Aleancës Kombëtare për Integrim në komunën e Kërçovës, kandidati për kryetar komune, Fatmir Dehari, tha se mërgimtarët edhe në këto zgjedhje kanë për t’i dalë zot Kërçovës. Në mandatin e parë kur u fitua Kërçova edhe atëherë kishte nga ata që kjo u dukej e pamundur, por edhe atëherë bashkimi si shqiptarë, bashkë edhe me turqit dhe romët, Kërçova u fitua. Kërçova e vitit 2013 ishte e lodhur, e shkatërruar dhe e mbuluar me borxhe, tha Dehari, sipas të cilit sot komuna e Kërçovës është e qëndrueshme financiarisht, transparente dhe aktive në çdo lagje, e në çdo fshat, komunë që dëgjon qytetarët e saj që punon dhe i shërben çdo qytetari. Dehari tha se si kryetar aktual ka investuar në arsim, rrugë, ujësjellës, shkolla e çerdhe, në sport dhe kulturë, për rininë dhe zonat rurale. Ai njëherësh theksoi se ka bashkëpunuar ngushtë me mërgatën, sportistët, mësuesit, punëtorët, bujqit, me rininë dhe secilin kërçovar, që ka punuar për të mirën e përbashkët. 
 
“Pas më shumë se një dekade punë, vij sërish para jush me të njëjtin qëllim, të vazhdojmë rrugën e zhvillimit dhe të ndërtimit. Ne nuk vijmë me fjalë të mëdha, por me punë të provuar. Dhe ju e dini vet, një të hedhur sy anash, të gjitha punët i keni aty, që nga sheshi i këtij qyteti, bulevardi përballë dhe bulevardet tjera, rrugët, shkollat.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Kërçovës, Fatmir Dehari.
 
Dehari njëherësh premtoi se nëse merr përsëri mandatin do ta përfundojë rrjetin e kanalizimit në çdo vendbanim, menaxhimin e mbeturinave, përforcim të kapacitetit të ujit, zona të reja industriale, ndërtimin e qendrës multifunksionale rinore dhe sportive, zgjerimin e rrugëve ndërmjet fshatrave, banesa sociale, mbështetje për studentët dhe nxënësit e dalluar, si dhe mbështetje për sportin dhe sportistët kërçovarë.
 
Të pranishmëve iu drejtua edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas të cilit ka zhvillime tinëzare, të cilat nuk lënë gur pa lëvizur për ta dëmtuar substancën kombëtare. Por, ai i fton bashkë qytetarët maqedonas të heqin dorë nga kjo, pasi siç tha Ahmeti, deri dje edhe ata kanë qenë vasal të Beogradit. 
 
“Politikanët maqedonas duhet ta dinë. Nikolla Pashiqi ka vepruar kështu, sepse shqiptarëve ua kanë mohuar çdo të drejtë, të pashkolluar kanë mundur t’i blejnë lirë, të vrasë vëllai vëllanë, të shiten për pesë para. Por, sot shqiptarët në tokat e veta, në këtë republikë kanë tre universitete. Nuk janë shqiptarët e 1913-ës.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Të pranishmëve në tubimin në Kërçovë iu drejtua edhe kreu i ASh-së, Ziadin Sela. Ndërsa Ahmeti dhe Sela kanë marrë pjesë edhe në tubimin e AKI-së në Strugë, ku kanë kërkuar përkrahjen e struganëve për kandidatin për kryetar të Strugës, Arsim Dalipi, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë. 
 
GYLTENE SINANI