Zgjedhjet lokale 2025, VLEN mbajti tubim në Dibër

15.10.2025 14:59

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Dibrës, Fisnik Mela...

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Dibrës, Fisnik Mela, në tubimin e mbrëmshëm në këtë qytet tha se derisa oponentët merren me etiketime dhe provokime, ata merren me projekte konkrete, për të zgjedhur problemet më të mëdha në Dibër. Mela tha se për zgjidhjen e këtyre problemeve kanë marrë premtime edhe nga kryeministri dhe zyrtarët tjerë qeveritarë.

“Ne merremi me lobim dhe proces për të zgjidhur problemet tona më të mëdha për këtë qytet. Ne kemi marr garanci të forta pikërisht nga kjo Dibër, nga kryeministri dhe të gjithë funksionarët e tjerë për të zgjidhur sa më shpejt çështjet, si plani gjeneral urbanistik, hapjen e terminalit doganor, hapjen e pikës doganore One Stop Shop në Bllacë, rikonstruimin e këtij sheshi, këtu ku ndodhemi.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Dibrës, Fisnik Mela.

Mela po ashtu premtoi edhe rikonstruimin e rrjetit të ujësjellësit dhe projekte tjera të shumta. Ai tha se ka dalë para qytetarëve ballëhapur dhe me besimin se Dibrës do t’ia kthejë shkëlqimin, me angazhim maksimal dhe të pakufizuar.

Ai tha se së bashku me ekipin e tij do të angazhohet që Dibra të jetë një qytet më i pastër, më transparent, më i dashur dhe më i bukur për të gjithë.

Mela tha se programi i tij bazohet në shtatë shtylla kryesore, edhe atë: shërbimet publike, arsimi cilësor dhe mbështetje për rininë, urbanizmi dhe planifikimi urban, ekonomia dhe turizmi, sporti dhe kultura, politika sociale, si dhe komunë me dyer të hapura dhe administratë digjitale.

Mela mes tjerash premtoi se nëse merr mandatin, qytetarët e Dibrës do të kenë furnizim me ujë 24 orë.

Të pranishmëve në Dibër iu drejtua edhe njëri nga liderët e këtij koalicioni, Arben Fetai, i cili me këtë rast adresoi kritika për oponentët politikë se brenda 23 vitesh nuk bënë asgjë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ai njëherësh theksoi se gjendja në komunat shqiptare është e mjerueshme.

“Kudo që shkojmë në tubime, nga komuna në komunë, na vjen turp, por realiteti është që në çdo komunë duhet të premtojmë ujë të pijshëm, në çdo komunë duhet të premtojmë kanalizime, sepse nuk janë bërë. Në çdo komunë duhet të premtojmë shkolla, çerdhe, spitale dhe infrastruktura më bazike, më elementare që nevojitet për një jetë të dinjitetshme, të cilën BDI-ja ka dështuar t’ua ofrojë shqiptarëve.”, - theksoi Arben Fetai nga VLEN.

Por, Fetai tha se në këto 15 muaj të qeverisjes së VLEN-it u ka rënë hise të rregullojnë shumë probleme të trashëguara nga qeverisja disavjeçare e BDI-së.

Por, ai tha se oponentët politikë nuk preferojnë të flasin për këto tema, të cilat i quajnë të vogla dhe preferojnë të flasin për shqiptari, për besëlidhje, por, siç tha ai, ata as në tubime nuk janë bashkë.

Të pranishmëve në Dibër iu drejtua edhe kryetari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi, i cili kërkoi mbështetje për kandidatin  për kryetar komune, Fisnik Mela, dhe listën e kandidatëve të koalicionit VLEN për këshilltarë për qytetin e Dibrës. (Fitore Demolli, TVM2)