Rajon

Tiranë, protestë për drejtësi ndaj krerëve të UÇK-së

15.10.2025 15:52

Më 17 tetor, sheshi “Skënderbeu” do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës....

Më 17 tetor, sheshi “Skënderbeu” do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbështetje të gjerë gjen kjo protestë nga qeveria shqiptare. Pjesë do të jetë kryeministri, Edi Rama; kreu i grupit socialist, Taulant Balla; ministra e deputetë. Ndonëse organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i kërkoi edhe Partisë Demokratike t’i bashkohet në protestë, nga selia blu përgjigja është negative.
 
“Ne e konsiderojmë luftën e UÇK-së një luftë çlirimtare të një populli të pushtuar. I konsiderojmë të pafajshëm krerët e UÇK-së dhe shpresojmë e lutemi për pafajësinë e tyre.  Por, ne nuk mund të jemi bashkë me kreun e Narkos, që i ka futur thika pas shpine Kosovës sa herë që i është dhënë mundësia. Ne nuk mund të jemi bashkë me atë që Veriun e Kosovës e quajti “Tokë e Askujt”. Ne nuk mund të jemi bashkë me vëllain e Vuçiqit që për makiazh të imazhit të tij antishqiptar tenton të përdorë Luftën e UÇK-së dhe krerët e saj.”, - thanë nga PD.
 
Nga qeveria në detyrë e Kosovës, për momentin mbizotëron heshtja.  Ndërkohë presidentja e Kosovës e pyetur nga mediat vendase, tha se e mbështet protestën, por pa e specifikuar nëse do të jetë e pranishme.
 
“Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri, për të mbrojtur popullin, për ta çliruar Kosovën nga okupimi shekullor dhe luftë që ka pasur në fokus mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe për të mbrojtur qytetarët e pafajshëm. Për këdo që e ka parë me sytë e vetë se çfarë ka ndodhur në luftën e fundit, ka qenë vetëm një agresor dhe ajo ka qenë Serbia, ka qenë një viktimë dhe ajo është Kosova, populli i Kosovës. UÇK-ja ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës, ka mbrojtur me dinjitet Republikën e Kosovës dhe drejtësinë e kësaj lufte do ta mbrojmë deri në fund.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Para shqiptarëve do të flasë ish-presidenti, Alfred Moisiu, Ali Ahmeti, Hysni Gucati, si edhe familjarët e një dëshmori nga Shqipëria, që ka rënë në tokën e Kosovës.
 
LULJETA NDOKA