Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, kandidatët e pavarur vazhdojnë fushatën
15.10.2025 17:12
Partitë politike dhe kandidatët e pavarur vazhdojnë fushatën për zgjedhjet...

Partitë politike dhe kandidatët e pavarur vazhdojnë fushatën për zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Kandidatët e pavarur për kryetarë dhe këshilltarë komunalë, kanë vazhduar me shpalosjen e ofertës së tyre programore në kërkim të mbështetjes së qytetarëve në komunat ku garojnë.
“Si pikë kryesore e kemi spitalin e Kërçovës, ku është një problematikë shumë e madhe në qytetin tonë. Nuk bëjmë spital privat, por atë spital e bëjmë me donacione dhe ai spital do t’i dhurohet Ministrisë së Shëndetësisë. Si pikë tjetër në bazë të kërkesave të qytetarëve, duke dalë e duke i takuar qytetarët tanë, sidomos nëpër fshatra, e pamë të arsyeshme që ta ndërtojmë shtëpinë e pleqve, ku edhe atë e kemi donacion.”, - deklaroi kandidati i pavarur për kryetar të Kërçovës, Shkodran Alili.
“Kam kënaqësinë që jam sot këtu me kolegët e mi, me kryetarin zotëri Nuhiun dhe anëtarët tjerë të bordit dhe shumë përfaqësues tjerë, të cilët sot më pritën, normalisht se ishte emocionale, është një institucion i cili ka përfshirë shumë gjëra dhe sot ne kishim bashkëpunim dhe bashkëbisedime për të ardhmen e kandidaturës sime.”, - theksoi kandidati i pavarur për kryetar të Strugës, Mendi Qyra.
“Në programin tim do të angazhohem për mirëmbajtjen e rregullt të hapësirave të gjelbra, fusha të reja për fëmijë, rikonstruime të atyre ekzistuese dhe mirëmbajtje të rregullt të kapaciteteve për ujitje, si dhe mirëmbajtje të parqeve ekzistuese. Fokus të veçantë do të vendosim te rinia dhe sportistët, sidomos rritje të donacioneve për klubin MZT dhe klubet tjera sportive.”, - u shpreh bartësi i listës së pavarur për komunën e Aerodromit, Dimitar Kulibanov.
“Në Çarshinë e Vjetër të rregullohen dyqanet, duke u rregulluar edhe pllakat dhe gjithçka tjetër. Sa i përket ekonomisë, t’u jepen më shumë leje investitorëve të vendit. Më lehtë të jepen lejet e ndërtimit, të ndërtohet kopsht zoologjik, botanik dhe muze arkeologjik.”, - deklaroi kandidati i pavarur në Prilep, Gjorgjia Igeski.
“Manastiri patjetër të jetë i pajisur tërësisht me kamera vëzhguese. Vetëm ashtu do të mbrohemi nga njerëzit e pandërgjegjshëm, të cilët e shkatërrojnë edhe atë pak që është bërë deri më tani, edhe atë në mënyra të ndryshme, qoftë me grafitë apo forma tjera. Video-kamera parashoh para secilit objekt publik, para secilës hapësirë publike, sallë sporti, secilit park. Më në fund tërë Manastiri të mbulohet me vëzhgim të kamerave, që do të ndiqet 24 orë.”, - theksoi kandidati i pavarur për kryetar të Manastirit, Zoran Nikollovski.
“Pjesa më produktive e trurit tonë 37%, kemi zvogëlim të popullsisë, që i bie 30 deri në 40 mijë njerëz kemi më pak në vend, kemi më pak familjarë, më pak nipa, mbesa, fëmijë e kështu me radhë. Por, ajo që është më e rëndësishmja, kemi më pak konsumatorë, 30 mijë njerëz të cilët do të konsumonin çdo ditë nga ndonjë produkt apo shërbim, që do t’i jepnin ndonjë kompanisë, ekonomisë sonë një shtytje të madhe.”, - u shpreh kandidati për kryetar të Gostivarit, Visar Ademi.
