Botë
Rihapja e kufirit Rafah bllokohet nga Izraeli, BE kritikon vendimin
15.10.2025 18:32
Pika kufitare Rafah, që lidh Rripin e Gazës me Egjiptin...
Pika kufitare Rafah, që lidh Rripin e Gazës me Egjiptin, pritej të rihapej pas një bllokade shtatëmuajshe dhe shkëmbimit të tetë trupave të pengjeve izraelite nga Hamasi. Megjithatë, Izraeli e theu marrëveshjen dhe njoftoi bllokimin e hapjes së kufirit, duke justifikuar vendimin me vonesën në kthimin e trupave të të gjitha pengjeve.
Për pasojë, do të bllokohet edhe numri i kamionëve me ndihma humanitare, të cilat Egjipti vazhdon t’i dërgojë përmes pikës së Kerem Shalom. BE kritikon këtë vendim të Izraelit.
"Evropa ka një vijë të qartë, nevoja themelore dhe humanitare është prioriteti. E gjithë ndihma që nuk mundi të shkonte lirisht në Gazë gjatë muajve të fundit, duhet të jetë në gjendje të rrjedhë. Përveç kësaj, ne punojmë për të ndërtuar një sistem qeverisjeje të qëndrueshëm, duke përfshirë palestinezët në vendimmarrje, pasi vendimet pa pjesëmarrjen e tyre nuk funksionojnë.", - deklaroi përfaqësuesi i BE-së në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, Aleksandre Stutzman.
Pas kthimit të trupave të vdekur të pengjeve izraelite, ushtria izraelite dorëzoi të martën eshtrat e 45 personave përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Eshtrat u transferuan në Kompleksin Mjekësor “Nasser” në Kan Junis me ndihmën e njësisë speciale të morgut të lëvizshëm.
"Këta trupa u vendosën nga pushtuesi në frigoriferë. Disa prej tyre kanë tipare të qarta dhe të tjerët janë të vështirë për t'u identifikuar. Ne morëm një premtim nga Kryqi i Kuq se do të merrnim emrat e këtyre 45 martirëve që u dorëzuan. Ende nuk i kemi marrë emrat e tyre, dhe ndërsa presim, nëse konfirmohet, do t'i publikojmë këto emra për familjet, në mënyrë që ata të mund të identifikojnë me mirësi trupat e bijve të tyre dhe t'i varrosin.", - theksoi drejtori i spitaleve jugore në Ministrinë palestineze të Shëndetësisë, dr. Mohamed Zaqout.
Të burgosurit palestinezë të liruar, mes tyre fotoreporteri Shadi Abu Sido, kthehen në shtëpitë e shkatërruara pas mbijetesës nga torturat. Abu Sido u gënjye nga gardianët që ia kishin vrarë familjen.
"Ishte një moment i papërshkrueshëm, një tronditje e madhe psikologjike. Pas gjithë këtij shkatërrimi, pas të gjithë këtyre martirëve, familja ime ishte ende gjallë. Gardianët më kishin gënjyer kur më thanë: "Ne vramë familjen tënde, ne vramë fëmijët e tu". Fjalët e tij më kumbonin në kokë, prandaj kur i pashë fëmijët isha në shok të madh. Gardiani më lidhi lakuriq dhe filloi të më rrihte. Kam brinjë të thyera.", - u shpreh fotoreporteri palestinez i liruar, Shadi Abu Sido.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, paralajmëron se Gaza do të kthehet në ferr nëse Hamasi nuk çarmatoset dhe nuk përmbushen të gjitha pikat e Planit të Paqes, pavarësisht fillimit të zbatimit të fazës së parë në terren.
"Mirë, u pajtuam që t’i japim paqes një shans. U dakorduam që kushtet në planin e tij me 20 pika janë shumë të qarta. Nuk është vetëm që të marrim pengjet pa tërhequr ushtrinë tonë, por që më pas të kemi edhe demilitarizimin dhe çarmatimin. Këto nuk janë e njëjta gjë. Së pari, Hamasi duhet të heqë dorë nga armët e tij. Së dyti, duhet të sigurohemi që të mos ketë fabrika armësh brenda Gazës dhe as kontrabandë armësh që hyn në Gazë. Kjo është demilitarizimi. Por, nëse nuk ndodh, ju e dëgjuat edhe presidentin Tramp kur tha, ata duhet ta bëjnë, nëse nuk e bëjnë, do të ndodhë ferri.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Bashkimi Evropian po përgatit grupin e donatorëve të Palestinës, që do të mbledhë shtetet arabe, evropiane dhe ndërkombëtare për të ndihmuar në stabilizimin e situatës dhe forcimin e qeverisjes në territoret palestineze.
FARIJE DAUTI BAKIU
