Eurovision 2015: Fituese Suedia, Shqipëria e 17-ta

24.05.2015 13:26

Këngëtari suedez, Mans Zelmerlow, me këngën “Heroes” është fitues i finales se Festivalit Evropian të Këngës që u zhvillua mbrëm në Vjenë...

28-vjeçari u ka thënë gazetarëve se “nuk ka mundur të besojë në fitore” dhe se ka menduar se përfaqësuesit e Rusisë ose Italisë do të jenë fitues.

Rusia u rradhit e dyta, Italia e treat , Belgjika e katërta dhe  Australia, e cila ka marrë pjesë për herë të parë në Eurovision, ka dalë e pesta. Përfaqësuesja e Shqipërisë, Elhaida Dani, u rendit e 17-ta. Drejtori i Radio¬Televizionit Shqiptar, Martin Leka, ka shprehur pakënaqësi nga pikët e fituara duke e cilësuar të pakuptimtë procedurën e votimit.

Leka për mediat në Shqipëri ka thënë se ‘ka diçka që nuk shkon me mënyrën e votimit’. Vlerësim i ngjashëm është shprehur edhe nga këngëtari dhe moderator i mirënjohur shqiptar Ardit Gjebrea. Ai ka shprehur habinë se ‘si ka mundësi që asnjë shqiptar në Itali, Gjermani, apo Zvicër nuk paska votuar për Shqipërinë’.

Ndërkohë Bordi organizues i festivalit ka njoftuar për parregullsi ne procesin e votimit të Malit të Zi dhe Maqedonisë, gjë që mund të çojë në reduktimin e mëtejshëm të pikeve për këngëtaren Elhajda Dani por edhe këngëtarëve të tjerë të votuar nga këto dy vende, por pa ndikim te fituesi Suedia.

Sipas BBC, këto dy shtete kanë thyer rregullat që përcaktojnë se pikët përfundimtare të një shteti përcaktohen 50% nga votimi i publikut dhe 50% nga juria profesioniste e atij shteti, që mësohet se Maqedonia dhe Mali I Zi nuk kanë patur juri profesioniste dhe kanë dhënë pikët bazuar në rezultatin e televotimit. Në qershor do të mbahet mbledhje e bordit organizues ku do të vendoset zyrtarisht fati i pikëve të votimit nga Maqedonia e Mali i Zi.

Krahas 12 pikëve nga Maqedonia dhe 10 pikëve nga Mali I Zi për Shqipërinë nga Greqia erdhën 6 pikë. Serbia nuk dha asnjë pikë, edhe pse mori 2 pikë nga Shqipëria. Por ajo që ka bërë më shumë përshtypje ka qënë Italia, e cila nuk i ka dhënë asnjë pikë Elhaida Danit që fitoi ‘The Voice of Italy’, ndërsa Shqipëria i dha 12 pikë Italisë.

Ndryshe rreth 200 milionë shikues në gjithë botën mendohet se kanë ndjekur ngjarjen në televizion, e cila për herë të parë është transmetuar drejtpërdrejt edhe në Kinë. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)