Maqedoni
Vonohen pagat në parqe dhe gjelbërim, Sindikata kërcënon me grevë
16.10.2025 13:43
Të punësuarit e ndërmarrjes publike “Parqe dhe Gjelbërim”, si dhe ndërmarrjeve simotra “Luna” dhe “FloraKom” ballafaqohen sërish me vonesë të pagës...

Të punësuarit e ndërmarrjes publike “Parqe dhe Gjelbërim”, si dhe ndërmarrjeve simotra “Luna” dhe “FloraKom” ballafaqohen sërish me vonesë të pagës. Edhe pas apeleve nga protestat e fundit që të fillohet me sigurimin e mjeteve financiare për pagat e shtatorit, afati ligjor për pagesën e tyre ka skaduar ditën e djeshme dhe punëtorët nuk i kanë marrë pagat e tyre edhe pas përfundimit të obligimeve të punës, thonë nga Sindikata SUTKOS.
“Apelojmë deri te udhëheqësia e “Parqe dhe Gjelbërim” deri ditën e nesërme të paguhen pagat e muajit shtator, në të kundërtën nga e hëna sërish në dakordim dhe marrëveshje me të punësuarit do të vendosim nesër, nëse do të zbatojmë iniciativën për të filluar grevë dhe iniciativa e dytë e mundshme është që t’i bllokojmë dy hyrjet kryesore të ndërmarrjes që do të nënkuptonte se nuk do të kryejmë aktivitetet e punës.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës SUTKOS, Stojançe Kashikovski.
Nga sindikata njoftojnë se do të kërkohet nga udhëheqësia e ardhshme e qytetit, që menjëherë pas zgjedhjeve të krijohen formula të reja për sigurimin e pagave të të punësuarve të ndërmarrjeve publike komunale, në mënyrë që punëtorët të mos ballafaqohen sërish me vonesa disa javore të pagave dhe shtesave të tjera të papaguara.
“Në këto tre ndërmarrje ballafaqohemi edhe me mospagesën e regresit për pushim vjetor, shpërblimeve jubilare, si dhe të gjitha shtesave të pagave të cilat janë të parapara me ligj dhe me marrëveshje kolektive, ne si sindikatë SUTKOS, i vetmi që përfaqëson shërbimet komunale, përskaj protestave që kemi organizuar për pagat e papaguara, kemi dorëzuar ankesat përkatëse edhe deri tek inspektorati i punës, gjithashtu edhe kallëzime penale ndaj drejtorit për mospagesën e regresit për pushim vjetor.”, - theksoi kryetari i Sindikatës SUTKOS, Stojançe Kashikovski.
Nga Sindikata gjithashtu njoftuan se paga nuk ka as për punëtorët e higjienës komunale dhe se mund të ballafaqohemi me revoltë edhe nga të punësuarit e asaj ndërmarrjeje dhe kryeqyteti sërish të mbulohet nga mbeturinat. Apelojnë deri tek udhëheqësia e Shkupit të sigurohen mjete përmes subvencioneve edhe për ndërmarrjen “Parqe dhe Gjelbërim”, edhe për “Higjienën Komunale”.
ARLINDA BAFTIU
