Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, VLEN mbajti tubime në Kërçovë dhe Strugë

16.10.2025 14:04

Kërçova me Fatmir Limanin do të jetë e të gjithë kërçovarëve, pa përjashtim....

Kërçova me Fatmir Limanin do të jetë e të gjithë kërçovarëve, pa përjashtim. Kështu deklaroi kandidati i koalicionit VLEN për kryetarët e Kërçovës, Fatmir Limani, në tubimin e këtij koalicioni, duke shtuar se është kthyer në sheshin e Kërçovës, pasi ka dëgjuar kërçovarët që jetojnë anë e mbanë Evropës, që janë amanet i shndërrimit të vendlindjes sipas amanetit të ëndrrës së përbashkët që e gatuajmë të gjithë. Limani tha se bashkë me brezin pasues të mërgatës dhe të rinjtë që kanë mbetur në Kërçovë, do të luftojë me vizion dhe forcën e mendjeve të ndritura, që, siç tha ai, e kanë armatosur me programin më të mirë të mundshëm të të gjitha periudhave zgjedhore. 
 
“Ashtu si jam zotuar edhe solemnisht, kërkoj një mandat që të shndërrojmë bashkë Kërçovën në kryeqendër të rajonit. Një sepse mandatet pasardhëse do të ua lëmë të rinjve, mundësisht të rinjve të mërgatës, të cilët më pastaj do të binden se këtu kanë vendin e tyre, se tjetër atdhe s’kanë në asnjë dhe.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Kërçovës, Fatmir Limani.
 
Limani më tej tha se të gjitha betejat në rrafshin politik i ka zhvilluar sepse nuk u hapej rruga të rinjve dhe të aftëve që u detyruan të mërgojnë. Limani njëherësh premtoi plan urbanistik që do të garantojë zhvillimin e qytetit në kahjen më të mirë të mundshme. Kërçova do të ketë edhe spital bashkëkohor, tha Limani, i cili po ashtu premtoi ndërtim të kanalizimit dhe ujësjellësit në të gjitha vendbanimet e territorit të Kërçovës pa dallim. Ai po ashtu theksoi se nuk do të ketë asfalt elektoral një javë para ditës së zgjedhjeve, për ta shkatërruar në pranverën e ardhshme, por asfalt me standarde bashkëkohore, i cili do t’i mbijetojë 10-vjeçarit. Ai po ashtu premtoi edhe rregullimin e terreneve sportive dhe tribunës te stadiumi. Limani po ashtu premtoi rregullimin e segmentit të korridorit 8 nga Bugoviku e deri në Reshtan, ku do të angazhohen kompanitë vendore duke hapur rreth dymijë vende pune. Po ashtu Limani premtoi lehtësira fiskale për bizneset e mërgatës. Ai po ashtu premtoi ndërrimin e tregut të ri, nëpërmjet investimit publiko privat.
 
Të pranishmëve në Kërçovë iu drejtua edhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, njëherësh edhe kandidat për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami. 
 
“Atë që ne arritëm ta bëjmë në Tetovë në këto katër vite, unë ju garantoj se Fatmiri do të bëjë shumë më shumë për Kërçovën për katër vitet e ardhshme. Janë dy arsyet kryesore. Një që kam besim të plotë dhe të fuqishëm që Fatmiri do të jetë shumë më i angazhuar për Kërçovën për këto katër vite. E dyta, Fatmiri për këto katër vite do ta ketë përkrahjen e fuqishme të Qeverisë.”, - theksoi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
 
VLEN-i ka mbajtur tubim edhe në Strugë, ku garon me listën e saj për këshilltarë, ndërsa mbështet kandidatin e pavarur, Mendi Qyra, për kryetar të Strugës. 
 
FITORE DEMOLLI