Maqedoni
Vizita e djeshme e kryetares së KE-së, Davkova: Ndihmoni në zhbllokimin integrues
16.10.2025 14:32
Davkova vizitën e kryetares së KE-së, Von der Lejen, e ka vlerësuar si inkurajuese dhe nxitëse për riintegrimin evropian të rajonit...

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, vizitën e kryetares së KE-së, Von der Lejen, e ka vlerësuar si inkurajuese dhe nxitëse për riintegrimin evropian të rajonit. Kjo e fundit në anën tjetër ka shprehur interes të hapur të BE-së për Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për shkak të përkatësisë natyrore evropiane në aspektin gjeografik, historik dhe kulturor, por edhe për shkak të ndryshimeve tektonike në rendin ndërkombëtar dhe kërcënimeve të shtuara për sigurinë botërore dhe evropiane. Gordana Siljanovska Davkova ka paralajmëruar për rrezikun e përsëritjes së bilateralizimit të procesit të integrimit të vendit jashtë kritereve të Kopenhagës. Duke shprehur gatishmëri për bisedimet maqedono-bullgare pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Siljanovska Davkova ka theksuar ndihmën që pret nga Bashkimi Evropian për gjetjen e një zgjidhjeje kreative për zhbllokimin eurointegrues. Ka përshëndetur edhe zërat për ndryshimin e vendimmarrjes në institucionet e BE-së, informojnë nga kabineti i presidentes.
“Iniciativa për reformimin e procesit të vendimmarrjes në BE, që do të përfshinte edhe çështjet që lidhen me zgjerimin e Unionit, përkatësisht futjen e votimit me shumicë të kualifikuar, do të ishte një vendim i guximshëm, që do të çonte drejt një hapi të rëndësishëm në integrimin evropian.”.
Lejen: Implementoni ndryshimet kushtetuese
Takimi i djeshëm i kryetares së KE-së, që mbaroi pa konferencë për shtyp, u përcoll me një mesazh në platformën X nga vetë shefja e ekzekutivit evropian.
“Ju mund të llogaritni te ne. Hapi juaj i ardhshëm dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë, e ky është implementimi i ndryshimeve kushtetuese. Topi është në oborrin tuaj. Bashkimi Evropian është gati.”.
Temë bisede ka qenë edhe përqendrimi në reformat gjyqësore, luftën e pakompromistë ndaj korrupsionit dhe krimit. Plani për Rritjen e Ballkanit Perëndimor dhe qasja graduale, në tregun e vetëm të Unionit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
