Maqedoni

FAO shënon 80 vjet, hidhen 13 mijë ton ushqim në vit

16.10.2025 14:54

Sot shënohet Dita Botërore e Ushqimit dhe 80-vjetori i themelimit të Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi – FAO....

Sot shënohet Dita Botërore e Ushqimit dhe 80-vjetori i themelimit të Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi – FAO. Me moton “Krah për krah për ushqim më të mirë dhe të ardhme më të mirë”, ngjarjet në mbarë botën, përfshirë edhe në Shkup, synojnë të ngrenë vetëdijen për rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm dhe mbrojtjes së burimeve natyrore. Qëllimi i kësaj dite është të theksojë nevojën për veprim të përbashkët në krijimin e sistemeve më të qëndrueshme ushqimore dhe në mbrojtjen e mjedisit. Sipas hulumtimeve dhe analizave të Bankës për ushqim, diku nga 9 deri ne 13 mijë ton ushqim hidhen në vit. Ndërsa 70 mijë qytetarë nga vendi, marin vetëm nga dy deri tre vakte ushqimi. 
 
“Ne si organizatë, tashmë 15 vite çdo vit kemi të dhëna se sa ushqim hidhet dhe mund të them lirshëm se amvisëritë në Maqedoni janë ata që hedhin më shumë ushqim, që do të thotë se 35 milionë euro hidhen në plehëra, aq sa është vlera e atij ushqimi të hedhur.”, - deklaroi udhëheqësi i Bankës së Ushqimit, Dushko Hristov.
 
“E para është të mbështeten skemat për futjen e perimeve dhe frutave në shkollat fillore dhe kopshtet. E dyta është Instituti i Shëndetit Publik, i cili kryen kërkime të vazhdueshme mbi cilësinë dhe sigurinë e ushqimit, t'i mbështesim ata, dhe bazuar në faktet dhe kërkimet, të hartojmë një program që mund ta përmirësojë situatën.”, - theksoi Kristina Mitiq Arsova nga FAO.
 
Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë, Tripunovski, theksoi se Qeveria është e përkushtuar në mbeshtejtjen e sektorit të bujqësisë.
 
“Bujqit e krijojnë ekonominë e vendit dhe përmës punës së tyre na mundësojnë ushqim të sigurtë. Në kohën e ndryshimve klimatike, roli i bujqëve është më i rëndësishëm se kurrë. Qeveria është e përkushtuar në mbeshtejtjen e sektorit të bujqësisë. Ne me këmbëngulje punojmë në fushën e modernizimit të bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës në mjediset rurale. Qëllimi ynë eshtë gjithashtu edhe kyqja e të rinjëve në sektorin e bujqësisë, ndërsa prodhimet tona të eksportohen jashtë vendit.”, - u shpreh ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Cvetan Tripunovski. 
 
Në Parkun e Frankofonisë në Shkup, me rastin e këtij jubileu, u mbollën pemë si simbol i përkushtimit ndaj një të ardhmeje të gjelbër dhe të qëndrueshme. Aktivitetet përfshijnë edhe një ekspozitë fotografike që paraqet punën e FAO-s gjatë tetë dekadave të fundit, si dhe punëtori kreative për fëmijë dhe të rinj. Dita Botërore e Ushqimit shënohet çdo vit më 16 tetor, duke kujtuar themelimin e FAO-s në vitin 1945, organizatë që sot bashkon më shumë se 190 shtete anëtare në misionin për t’i dhënë fund urisë në botë.
 
BELINDA KOKA ADEMI