Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, AKI mbajti tubim në Çair
16.10.2025 15:05
Nuk kam hyrë në garë për pushtet, por për t’ia kthyer Çairin popullit....

Nuk kam hyrë në garë për pushtet, por për t’ia kthyer Çairin popullit. Kështu deklaroi kandidati i Aleancës Kombëtar për Integrim për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, gjatë tubimit të mbrëmshëm në Çair, me ç’rast theksoi se për 20 vite Çairin e ka mbajtur peng një grup njerëzish që ua kanë vjedhur ëndrrat banorëve të vet. Sipas Osmanit, bëhet fjalë për njerëz që keqpërdorën besimin e tyre dhe krijuan përshtypjen te qytetarët se nuk mundet më mirë. Por, Osmani tha se është koha për t’i dhënë fund edhe dëshpërimit edhe frikës dhe të fillojë ndryshimi në Komunën e Çairit. Por, Osmani tha se nuk janë të gjithë politikanët njësoj, prandaj kërkoi mbështetjen e qytetarëve për ta sjellë ndryshimin në Çair. Prandaj, sipas Osmanit, këto nuk janë zgjedhje të zakonshme, por betejë ndërmjet qytetarëve të Çairit nga njëra anë dhe një grupi njerëzish, të cilët kanë sunduar dhe plaçkitur Çairin për 20 vite.
“Dhe nëse kam një dobësi, nëse kam një ndjenjë ndërgjegje dhe përgjegjësie dhe një ndjenjë faji në këtë fushatë zgjedhore, është se i besuam dhe kërkuam besimin tuaj për të dhe kam guximin ta pranoj atë gabim, por ata e keqpërdorën besimin tim, e keqpërdorën besimin tuaj.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Çairit, Bujar Osmani.
Sipas Osmanit, ata e keqpërdorën besimin e organizatës që 20 vite u ka bërë shkallë që të ngrihen, por ata shpresën e kthyen në zhgënjim. Sipas tij, Çairi mund të bëhet me pamje evropiane dhe me shpirtin e ngrohtë që do t’u shërbejë njerëzve dhe kërkesave të tyre. Votën për Bujar Osmanin para banorëve të Çairit e kërkoi edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas të cilit vota për Osmanin do të thotë një Çair ndryshe, një Çair evropian.
“Unë do të doja t’i ftoj të gjithë ata të cilët kanë menduar se do të sillet ndryshim, e u bë poshtërim i shqiptarëve, e kanë momentin e duhur në kohë të duhur, më 19 tetor, të votojnë Bujar Osmanin e vërtetë.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti po ashtu tha se Bujar Osmani ka dhënë kontribute të mëdha në ndërtimin dhe menaxhimin e institucioneve të rëndësishme shtetërore. Osmani është njëri nga menaxhuesit më të mirë të Ministrisë së Jashtme dhe këtë e thonë edhe maqedonasit, tha Ahmeti. Votën për Osmanin e kërkoi edhe kreu i ASh-së, Ziadin Sela. Ndërsa të pranishmëve në Çair iu drejtua edhe kandidati i AKI-së për kryetar të Qytetit të Shkupit, Skender Rexhepi-Zejd, i cili kërkoi përkrahjen e banorëve të Çairit, si për kandidaturën e tij për kryetar të Shkupit, ashtu edhe për listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë të Aleancës Kombëtare për Integrim.
GYLTENE SINANI
