Rajon

Marshi kundër gjykimit të UÇK-së, aktorët politikë po politizojnë aktivitetin

16.10.2025 15:15

Një deklaratë e Lëvizjes Vetëvendosje nxiti përplasje me kryeministrin, Edi Rama

Një deklaratë e Lëvizjes Vetëvendosje nxiti përplasje me kryeministrin, Edi Rama. Në rrjetet sociale, Vetëvendosja akuzoi kreun e qeverisë shqiptare se 10 vite më parë kishte shkuar me urgjencë në Kosovë për t’u kërkuar palëve miratimin e Gjykatës Speciale. E shpejtë ishte përgjigja e kryeministrit Rama, i cili sqaroi se Gjykata do të krihej për të hetuar trafikun e organeve dhe e akuzoi Albin Kurtin se e do Hashim Thaçin përjetë në Hagë. Përplasjet u zhvendosën edhe në Parlament, ku mazhoranca i kërkoi opozitës të bëhet pjesë e protestës.
 
“Vëreni Shqipërinë mbi partinë, dilni nga urdhri politik, e hajdeni në protestë. Nuk jemi ne organizatorë, janë veteranët e UÇK-së. Është në nderin e secilit prej nesh, përpjekja për ta ndryshuar historinë me vendime gjykatash, duhet të marrë mesazhin nga Tirana.”, - deklaroi Taulant Balla. 
 
Berishën e akuzoi se i ka shërbyer Serbisë, duke i kujtuar se në të njëjtin vit kur miratohej raporti i Dick Marty kundër UÇK-së, kreu vrasje ndaj popullit opozitar.
 
“O Sali, po flas për Hashim Thaçin, pse e shpon flamurin. Ti je dhëndri më i mirë për Serbinë. Si ka mundësi që gjatë qeverisjes tënde u ndoqën, përndoqën drejtues të UÇK-së këtu në Tiranë dhe pati akuza për vrasjen e njerëzve të UÇK-së në Tiranë. 4 ditë përpara se t’i bëhej dëmi më i madh historisë së re të kombit shqiptar, ti vrisje popullin opozitar. Si ka mundësi që je përfshirë në sulme personale e të ulëta kundër Thaçit dhe nuk ke nxjerrë kurrë një fjalë për ata që mbante prej 5 vitesh në burgun e Hagës.”, - theksoi Taulant Balla.
 
Por, kryedemokrati iu kundërpërgjigj se protesta në Tiranë synon të godasë Albin Kurtin.
 
“Mitingu që bëhet me nuanca të theksuara kundër qeverisë së Kosovës kishte planifikuar 60 minuta Edi Rama fjalim, njësoj si të dilte Vuçiqi të fliste aty.”, - u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha.
 
Prej disa seancash, Kuvendi përplaset mbi debatin e miratimit të rezolutës për të dënuar gjenocidin serb mbi Kosovën. PD-ja insiston te kjo çështje, që për socialistët është ezauruar prej vitesh. 
 
LULJETA NDOKA