Maqedoni
Zbardhja e tragjedisë në diskotekën “Puls”, gjykimi i 34 personave do të fillojë më 19 nëntor
16.10.2025 15:23
Caktohet data për nisjen e gjykimit të tragjedisë në diskotekën “Puls” në Koçan....

Caktohet data për nisjen e gjykimit të tragjedisë në diskotekën “Puls” në Koçan. Më 19 nëntor, në orët e paradites, do të nisë procesi gjyqësorë në gjykatën brenda burgut të Idrizovës. 34 persona do të japin llogari për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Përpos tyre, para drejtësisë do të nxirren edhe tre ndërmarrje. Procesin gjyqësor do ta udhëheqë Diana Gruevska – Ilievska. Gjykatës i dytë i lëndës është emëruar Ahmed Idrizi. Nga gjykata gjithashtu njoftojnë se janë caktuar edhe gjashtë termine të debatit kryesor.
“Për shkak të punës efektive janë caktuar më shumë termine për shqyrtimin kryesor të lëndës, më 25 dhe 26 nëntor, si dhe në 2, 4, 10 dhe 11 dhjetor të këtij viti. Pas nisjes së procesit do të caktohen edhe termine shtesë. Ftesat për palët në proces janë duke u dorëzuar.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale Shkup.
Familjarët e viktimave të tragjedisë në diskotekë do të pushojnë bllokadat njëorëshe në Koçan, por s’do të ndalojnë me marshin e qetë të zhvilluar të shtunave me shpresën për gjykim të drejtë dhe trasparent. Në shpërthimin e zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, më 16 mars, ndërruan jetë 63 persona, ndërkaq më shumë se 200 persona u lënduan.
MERAL ISMAILI
