Maqedoni

Shëndetësi, filloi vaksinimi kundër gripit sezonal

16.10.2025 15:42

Ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal...

Ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal. Në tërë vendin janë vendosur 35 punkte për vaksinim. Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 80.000 vaksina, ndërsa deri tani 43.000 qytetarë janë paraqitur për termin përmes ueb-faqes elektronike vaksinacija.mk. Në punktin e vendosur në Poliklinikën e BitPazarit, vaksinimi po vijon nga orët e para të mëngjesit, pa radhë të gjata për pritje dhe me një fluks të qetë të qytetarëve. 
 
“Pacientet janë në dy punkte, në dy poliklinika të përcaktuara, në Poliklinikën këtu në Bit Pazar, si dhe në Poliklinikën “Idadija”. Janë të planifikuar 600 pacientë në Poliklinikën Biz Pazar dhe 600 në poliklinikën “Idadija” të organizuar në termine çdo 10 minuta. Shihet se vijnë një numër i madh për t’u vaksinuar.”, - deklaroi mjekja e përgjithshme, Kefaet Latifi Qaili.
 
Në përgjithësi për t’u vaksinuar kishin ardhur qytetarë të moshave më të shtyra. Ata janë të kënaqur nga organizimi i vaksinimit, si dhe nga efektet e vaksinave. Të tillë janë edhe ky çift nga Shkupi, të cilët vaksinohen rregullisht për 30 vite. 
 
“30 vite marr vaksinën, çdo vit në muajin tetor ose nëntor, varësisht se kur janë të disponueshme. Këtë vit ishte shumë mirë e organizuar, u paraqitëm në mënyrë elektronike, na pranuan menjëherë dhe na njoftuan ku duhet të shkojmë, kur, të gjitha detajet. Siç e shihni nuk ka radhë dhe as problematika të tjera.”, - tha një qytetar.
 
“Ne çdo vit vaksinohemi, edhe këtë vit po ashtu. Mund të shihet se nuk ka radhë të gjata, gjithçka është mirë e organizuar dhe jemi të kënaqur. Pasi pranoj vaksinimin, asnjëherë nuk kam as temperaturë të lartë gjatë muajve të dimrit dhe në këtë kontekst çdo gjë është në rregull.”, - tha një qytetar tjetër. 
 
“Unë vaksinohem që 16 vite dhe jam shumë i kënaqur nga vaksinimi dhe nuk kam probleme me gripin sezonal. Aplikova dhe njoftim për termin dhe më erdhi  një dit më vonë.”, - u shpreh një qytetar. 
 
Duhet të vaksinohen personat mbi moshën 65-vjeçare, fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç, të sëmurët me sëmundje kronike si astma, sëmundjet e zemrës, diabeti, gjithashtu duhet të vaksinohen punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna dhe të gjithë ata që janë me imunitet të dobësuar.
 
“Vaksinimi kundër gripit është shumë i rëndësishëm, sepse është mënyra më efektive dhe më e sigurt për mbrojtjen e shëndetit individual, gjithashtu dhe për uljen e komplikimeve nga gripi, si dhe mbrojtjen e shëndetit publik.   Vaksina është 4 valente, është për 4 lloje të virusit të gripit, është shumë efektive dhe shumë e sigurt, ku sugjerojmë të gjithë qytetarëve që të vijnë dhe të vaksinohen.”, - theksoi mjekja e përgjithshme, Kefaet Latifi Qaili.
 
Për pacientët të cilët janë në gjendje të rënduar shëndetësore, edhe për ata është planifikuar vaksinimi që zhvillohet në terren, në shtëpitë e tyre nga ekipet profesionale. Qytetarët mund të regjistrohen për vaksinim deri në muajin dhjetor.
 
ARLINDA BAFTIU