Botë
Marrëveshja e paqes për Gazën, Netanjahu: Lufta nuk ka përfunduar ende
16.10.2025 16:01
Pavarësisht marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës në Gazë, propozuar nga presidenti i ShBA-së, Donald Tramp...

Pavarësisht marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës në Gazë, propozuar nga presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu, tha se lufta në Gazë ende nuk ka përfunduar, pasi nuk janë arritur qëllimet e Izraelit. Sipas tij, kjo luftë u dha një mësim armiqve të Izraelit, se kushdo që ngre dorë kundër tyre do të paguajë një çmim të lartë.
"Lufta nuk ka mbaruar ende. Por, një gjë është e qartë sot, kushdo që ngre duart kundër nesh, e di tashmë se do të paguajë një çmim të lartë për agresionin e tyre. Ne jemi të vendosur të përfundojmë fitoren, e cila do të ndikojë në jetën tonë për shumë vite. Ne do t’i arrijmë të gjitha qëllimet tona, me unitet të brendshëm dhe solidaritet.", - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Eskalojnë protestat për Gazën në Barcelonë, nuk besojnë se Izraeli do t’i përmbahet marrëveshjes
Nga ana tjetër, banorët e Gazës shprehin shqetësime për mungesën e një mekanizmi të qartë për pastrimin e mbetjeve të rrezikshme të mbetura nga forcat izraelite në terren, përfshirë pajisje robotike të mbushura me eksplozivë që përbëjnë rrezik serioz për civilët. Dyshimet rreth përmbushjes së kësaj marrëveshjeje kanë shkaktuar protesta të mëdha në Barcelonë, ku demonstrues pro-palestinezë u përplasën me policinë. Protesta përfundoi me incidente dhe përdorim të spërkatësit djegës nga ana e forcave të rendit.
“Ne po protestojmë, sepse nuk besojmë në këtë marrëveshje paqeje. Ne e konsiderojmë këtë marrëveshje paqeje si një maskaradë.", - tha një protestues.
“Ka ende masakra në Gazë dhe ne gjithashtu duhet të promovojmë një bojkot të gjerë kundër Izraelit.", - tha një protestues tjetër.
"Mendoj se shumë njerëz gjithashtu duan të protestojnë në mënyrë paqësore dhe e bëjnë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, gjithsesi, mendoj se këto gjëra përfundojnë në këtë mënyrë, pra me dhunë, sepse njerëzit janë shumë të zemëruar dhe shumë të pakënaqur me atë që po ndodh në botë.", - u shpreh një protestues.
Me gjithë situatën e brishtë dhe pasiguritë në terren, qeveria palestineze ka shprehur vendosmërinë për të filluar procesin e rindërtimit.
"Qeveria e Palestinës qëndron e vendosur për të udhëhequr një proces kombëtar të rimëkëmbjes dhe rindërtimit që i rikthen dinjitetin dhe shpresën popullit tonë. Në partneritet me shtetet arabe dhe partnerët ndërkombëtarë, ne kemi përgatitur një plan gjithëpërfshirës me programe zbatimi dhe projekte të detajuara për rimëkëmbjen e hershme dhe rindërtimin afatgjatë të Gazës. Vizioni ynë është i qartë, Gaza do të rindërtohet si një pjesë e hapur, e lidhur dhe e lulëzuar e Shtetit të Palestinës në përputhje me rezolutat përkatëse të OKB-së dhe deklaratën e Nju Jorkut.”, - theksoi kryeministri palestinez, Mohamad Mustafa.
Në kuadër të kësaj nisme është përgatitur një plan pesëvjeçar me vlerë 67 miliardë dollarë, bazuar në Planin Arab të miratuar në Samitin e Kajros në mars 2025. Faza e parë gjashtëmujore e këtij programi do të nisë menjëherë pas armëpushimit dhe përfshin rivendosjen e shërbimeve bazë, ndihmë sociale, mbështetje për jetesën, si dhe rehabilitim psikologjik dhe arsimor.
FARIJE DAUTI BAKIU
