Rajon
Nesër në Tiranë, protesta “Në mbrojtje të lirisë”, ShFDK: Përçohet mesazh për pastërtinë e luftës
16.10.2025 16:12
Të premten në Tiranë mbahet protesta mbarëkombatëre “Në mbrojtje të lirisë”....

Të premten në Tiranë mbahet protesta mbarëkombatëre “Në mbrojtje të lirisë”. Sipas organizatorëve, qëllimi i protestës është kundërshtimi i padrejtësive ndaj krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se kjo është “një luftë e lavdishme që solli lirinë e Kosovës.”. Kjo është thënë në konferencë për media të këshillit koordinues të shoqatave të dala nga lufta. Kryetari i Shoqatës së Fëmijëve të Dëshmorëve të Kosovës, Xhavit Jashari, theksoi se protestat e mbajtura në Kosovë dhe Hagë kanë pasur ndikim, ndërsa kjo në Tiranë do të jetë protestë gjithëkombëtare, e qetë dhe me përkrahje të gjerë.
“Protesta që do të mbahet në Tiranë ka përkrahje të madhe dhe është protestë gjithëkombëtare, ku pjesëmarrja e njerëzve do të argumentojë që kësaj lufte kombit dhe shtetit po i bëhet padrejtësi. I bëj thirrje që të jenë të kujdesshëm, sepse protesta është e qetë. Do të jetë edhe kryeministri shqiptar në protestë.”, - deklaroi kryetari i ShFDK-së, Xhavit Jashari.
Ndërsa Shefik Sadiku, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, kërkoi që Gjykata Speciale të jetë transparente dhe të përfundojë sa më shpejt mandatin e saj, duke mos prodhuar më padrejtësi.
“Një prej kërkesave kryesore është që kjo gjykatë të jetë transparente dhe sa më shpejt të kryejë misionin e saj. Kjo gjykatë do të duhej që të mbyllte misionin e vet dhe të mos sharronte në padrejtësi më të mëdha. Sikur të kishin qenë pak fajtorë, shumë lehtë do të shmangeshin kësaj gjykate, por nuk e kanë ndjerë veten fajtorë. Prandaj i bëjmë thirrje publike edhe qeverisë së Kosovës, e cila i mbështet këto protesta, dhe presidencës po ashtu, që të kërkojnë rrugë diplomatike për të nxjerrë një rezolutë të re.”, - theksoi kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku.
Pjesmarrjen e tyre në protestën e Tiranës e kanë paralajmëruar edhe shumë grupe të ndryshme të interesit, politikanë dhe njerëz me ndikim në shoqëri.
BELINDA KOKA ADEMI
