Maqedoni
Zgjedhjet lokale, të dielën, MPB-ja do të kontrollojë tërë procesin
17.10.2025 11:53
MPB njofton se do të garantojë në tërësi sigurinë e qytetarëve gjatë realizimit të zgjedhjeve lokale 2025...

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se do të garantojë në tërësi sigurinë e qytetarëve gjatë realizimit të zgjedhjeve lokale 2025. MPB apelon te të gjithë qytetarët dhe partitë politike që të kontribuojnë për një atmosferë paqësore dhe demokratike, të respektojnë udhëzimet e punonjësve të policisë dhe të heqin dorë nga çdo aktivitet që mund të prishë procesin zgjedhor. Do të vihen në aktivitet edhe teknologjitë moderne gjatë tërë ditës zgjedhore.
“Ministria e Punëve të Brendshme, në prag të Zgjedhjeve Lokale 2025, vazhdimisht ndërmerr masa dhe aktivitete brenda kompetencave të saja, me qëllim realizimin e pandërprerë dhe të sigurt të procesit zgjedhor. Sipas vlerësimeve të bëra dhe planeve të përcaktuara, në ditën e zgjedhjeve punonjësit e policisë do të jenë të pranishëm në afërsi të vendeve të votimit, si dhe në pikat kyçe të trafikut, me qëllim, rritjen e efikasitetit dhe zbulimin në kohë të mundësive për shkelje të rendit dhe qetësisë publike. Do të përdoret edhe teknologjia moderne - dronë për kontroll ajror, me qëllim reagim më të shpejtë dhe ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të përshtatshme në rast incidentesh.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme shtojnë se do ta informojnë publikun në mënyrë të përshtatshme për zhvillimin dhe ecurinë e procesit zgjedhor.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
