Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, LSDM prezanton kandidaten në Butel
17.10.2025 14:14
LSDM ka prezantuar kandidaten për kryetare në Komunën e Butelit, Olivera Livriniq, dhe listën e këshilltarëve....

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka prezantuar kandidaten për kryetare në Komunën e Butelit, Olivera Livriniq, dhe listën e këshilltarëve. Livriniq para të pranishmëve foli për masa konkrete dhe investime që kjo lagje të jetë e ndërtuar, bashkëkohore dhe e sigurt për të jetuar. Unë nuk premtoj, unë punoj, tha ajo, duke kritikuar partinë që për gjashtëmbëdhjetë vite ka kryesuar me Komunën e Butelit. VMRO-DPMNE sërish po ofron programin e njëjtë, ndërsa në katër vitet e fundit nuk kanë realizuar asnjë projekt kapital në Butel, edhe pse nuk ka qenë i penguar as nga këshilltarët e as nga pushteti qendror. Komuna e Butelit sikurse i gjithë kryeqyteti po ngulfatet në mbeturina, ky nuk është vizion. Ajo para qytetarëve siguroi se i mjafton një mandat që të bëjnë një komunë të pastër dhe të organizuar, që të dëshmojnë se çfarë nënkupton punë e vërtetë, komunë me shërbime të larta për të gjithë qytetarët, llogaridhënie dhe përgjegjësi për çdo denarë të shpenzuar. Tha se Butelit i duhet një shtëpi e kulturës, çerdhe të re, qendër për fëmijë me nevoja të posaçme, si dhe përmirësim i infrastrukturës. Politika me inate nuk është patriotizëm, tha Livriniq.
“Nga dita e parë thashë nuk ka "do të", nuk ka fjalë boshe, sepse nuk premtohet ajo që duhet të bëhet, nuk lavdërohesh me atë që e ke obligim, nuk punohet vetëm në katër javët e fundit, por punohet gjatë tërë mandatit. Prandaj, pas katër viteve heshtje, përnjëherë eksplozion premtimesh.”, - deklaroi kandidatja e LSDM-së për Butelin, Olivera Livriniq.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, nga tribuna në Butel tha se forca më e madhe e LSDM-së në këto zgjedhje janë njerëzit që i propozojnë kandidatët dhe kandidatët me integritet dhe besueshmëri. Ai kujtoi se komunat janë pushteti më i afërt me qytetarët dhe pikërisht për këtë arsye është shumë e rëndësishme që atje të zgjidhen përfaqësues të ndershëm dhe përgjegjshëm.
“Në këto zgjedhje para së gjithash zgjidhni njerëz që do t’ju përfaqësojnë juve. Zgjidhni ata që janë të dëshmuar dhe të ndershëm, që do ta plotësojnë atë që kanë premtuar dhe do t’ju shërbejnë para së gjithash juve qytetarëve. Kandidatë të tillë ofrojmë ne, Lidhja Social Demokrate. Njerëz me integritet, sepse komunat janë pushteti më i mirë për qytetarët. Komunat janë kontakti i parë i çdo njeriu me çdo pushtet.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Tubim parazgjedhor Lidhja Social Demokrate mbajti edhe në komunën e Çuçer Sandevës.
FLORIJE KAMBERI
