Maqedoni
Partitë përmbyllin fushatën, Bilalli: Prezantimi ishte sipërfaqësor
17.10.2025 14:30
Përmbyllet fushata elektorale. Kritikët politikë vlerësojnë se prezantimi para elektoratit nuk ka qenë i bollshëm....

Përmbyllet fushata elektorale. Kritikët politikë vlerësojnë se prezantimi para elektoratit nuk ka qenë i bollshëm. Profesori universitar, Mersel Bilalli, thotë se tek partitë mungon edukata elementare lidhur me ofertat. Sipas tij, kandidatët më shumë kanë shpenzuar kohë dhe energji duke u marrë me kundërshtarin politik.
“Zgjedhjet lokale nuk e përfshijnë të gjithë kapacitetin e duhur që janë kompetenca të njësive të vetëqeverisjes lokale, por si duket pretendentët startojnë me ujësjellës, kanalizime, dritë publike e kështu me radhë, kurse realisht në ligjin për vetëqeverisje lokale, pra ka mbi 73 kompetenca të cilat bëjnë pjesë në kuantitumin e njësive dhe kompetencave të njësive të vetëqeverisjes lokale, pra të komunave. E gjithë koha harxhohet në çështje sipërfaqësore, pa hyrë në brendi.”, - deklaroi profesori universitar, Mersel Bilalli.
Sipas Bilallit, kandidatët për kryetarë komune nuk kanë trajtuar më detajisht zhvillimin ekonomik, punësimin, parametra këto të cilat parandalojnë edhe braktisjen e komunave.
“Zhvillimi ekonomik, zonat industriale, janë çështje kyçe. Ne duhet të hapim vende pune, ku njerëzit duhet të punojnë, se kemi shpërngulje maramendëse. Pra, shumëçka ka defekte serioze, pra mungesë të edukatës, midis komunikimit të tyre, diskualifikime që njerëzit realisht lodhen dhe diskurajohen për të dalë në votime.”, - theksoi profesori universitar, Mersel Bilalli.
Të dielën në vendvotimet e 80 komunave, masin forcat 309 kandidatë për 81 poste kryetarësh, në 80 komuna, plus qyteti i Shkupit. Numri i kandidatëve për këshilltarë shkon në 10.190. Pjesëmarrjen në zgjedhje e kanë konfirmuar gjithsej 1.832.415 votues. Ndërkaq procesi do të vëzhgohet nga 1.340.699 të vendit dhe 639 ndërkombëtarë, si dhe dy gazetarë të huaj. Ditën e shtunë votojnë të sëmurët, të burgosurit, personat nën arrest shtëpiak, si dhe të moshuarit nëpër shtëpitë e pleqve.
MERAL ISMAILI
