Rajon

Tiranë, protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

17.10.2025 14:41

Në orën 17:00 pritet të nisë protesta në sheshin “Skënderbej” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës...

Në orën 17:00 pritet të nisë protesta në sheshin “Skënderbej” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tubimi organizohet nga veteranët e UÇK-së me moton “Liria ka emër”. Që në orët e para të mëngjesit në pikën e kalimit kufitar të Morinës kanë hyrë me qindra qytetarë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët do të marrin pjesë në protestë. Rruga e Kombit është hapur sot pa pagesë për të lehtësuar qarkullimin, ndërsa bashkitë e Prishtinës dhe Shkodrës kanë mundësuar transport falas për qytetarët. Me flamuj kuqezi dhe simbole të UÇK-së ata kanë mbërritur në Tiranë me autobusë, makina e motorë.
 
Në Morinë kaloi dhe eskorta e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka mbërritur në Tiranë, por nuk do t’i bashkohet protestës, pasi siç u tha nga zyra e shtypit, ka ardhur për çështje personale.
 
Në protestë nuk do të marrë pjesë as kryeministri Edi Rama, për të mos e politizuar. Por, do të ketë pjesëmarrje të gjerë nga ministra, deputetë, zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë.
 
Partia Demokratike ka deklaruar mospjesëmarrjen, duke deklaruar se nuk qëndron në krah të socialistëve, të cilët sipas saj bashkëpunojnë me presidentin serb në kurriz të Kosovës.
 
LULJETA NDOKA