Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, VMRO-DPMNE mbajti tubim në Gazi Babë
17.10.2025 14:53
Koalicioni i VMRO-DPMNE-së, mbrëmë prezantoi kandidatin për kryetar të komunës së Gazi Babës...

Koalicioni i VMRO-DPMNE-së, mbrëmë prezantoi kandidatin për kryetar të komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, dhe listën e këshilltarëve komunalë për këtë komunë. Stefkovski garon për mandat të dytë, ndërsa u tha banorëve se gjatë mandatit të tij të parë ka realizuar rreth 670 projekte infrastrukturore, duke premtuar se do të punojë dyfish më shumë për ta zhvilluar këtë komunë edhe gjatë mandatit të tij katërvjeçar. Në fokus për të investuar, Stefkovski e ka infrastrukturën rrugore, arsimin, sportin, kulturën, kujdesin e të rinjve dhe të moshuarve, garazh në kate, kujdes të veçantë për personat më aftësi të kufizuara, të të rinjve dhe të moshuarve, ndërtimin e pishinës së mbyllur në shkollën “Stiv Naumov” dhe po ashtu u premtoi çifteve të reja deri në moshën 29 vjeç, zero tatime për ndërtimin e shtëpive të tyre.
“Në 4 vitet e ardhshme do të ndërtojmë çerdhe për fëmijë në Keramidnicë, Hipodrom 2 dhe Singeliq. Do të realizojmë projektin 0 tatime në pronë për ndërtimin e shtëpive për çiftet e reja deri në moshën 29 vjeç. Do të ndërtojmë salla sporti për shkollat në Zhelezarë, Singeliq, Straçincë dhe Çento. Do t’i subvencionojmë qytetarët për fasadë me efikasitet energjetik tek ndërtesat, si dhe do të ndërtojmë garazhe në kate në Autokomandë dhe Çento.”, - deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Gazi Babës - VMRO-DPMNE, Boban Stefkovski.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke dhënë mbështetje pa rezervë për Stefkovskin, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, e në veçanti simpatizuesve të LSDM-së dhe të papërcaktuarve, që më 19 tetor pa mëdyshje të votojnë opsionin e tyre politik, pasi që, siç vlerësoi Mickoski, LSDM është shndërruar në qendër të interesave personale dhe të biznesit, ku një LSDM e dobët, nuk do të bëhet e fortë nëse votojnë qytetarët për të. Përkundrazi tha ai, do të legjitimojnë udhëheqësinë e tyre të interesave dhe intrigave.
“Këto nuk janë zgjedhje të thjeshta, këto janë zgjedhje midis së kaluarës dhe së ardhmes, mes shkatërrimit dhe ringjalljes. Nëse dëshirojmë ndryshim të vërtetë, ajo mund të ndodh vetëm përmes mbështetjes masovike, me votë të përbashkët për atë të cilët kanë fuqi, plan dhe ndershmëri ta udhëheqin shtetin para. Andaj, ju lus në këto zgjedhje, mos e ndani votën dhe mos lejoni që shpresa juaj përsëri të keqpërdoret.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
VMRO-DPMNE mbrëmë mbajti tubime edhe në komunën e Aerodromit, Sarajit dhe Çairit, ku u prezantuan kandidatët e tyre për kryetar dhe listën e këshilltarëve komunalë. Mickoski u bëri thirrje banorëve të Çairit që të votojnë kandidatin e tyre për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, dhe të marrin pjesë në historinë e re të atdheut, tha Mickoski.
REXHEP QAMILI
