Maqedoni
M-NAV: Nuk ka grevë, aviacioni do të funksionojë normalisht
17.10.2025 15:05
Kontrollorët e trafikut ajror që kërkonin kushte më të mira dhe kishin paralajmëruar grevë...

Kontrollorët e trafikut ajror që kërkonin kushte më të mira dhe kishin paralajmëruar grevë, u detyruan ta anulojnë grevën që ishte caktuar të mbahej të hënën nga ora 10:00 deri në ora 15:00, pas vendimit të Gjykatës Civile, pasi tre drejtorët e Navigacionit Maqedonas (M-NAV) paraqitën padi në gjykatë me propozim për ndalim të organizimit të grevës së paralajmëruar. Gjyqtarja e Gjykatës Civile mori vendim për një masë të përkohshme për ndalimin e grevës, edhe pse, siç pohon kryetari i Sindikatës Profesionale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski, askush nuk kishte kërkuar një masë të përkohshme dhe ajo e anuloi seancën e sotme në të cilën Sindikata do të paraqiste argumentet e saj. Sindikata njoftoi se do t’i drejtohet kryetarit të Gjykatës Civile dhe do të paraqesë ankesë në Këshillin Gjyqësor kundër gjyqtares që mori këtë vendim.
“Në vendimin e gjykatës, vetë gjyqtari ka theksuar se kërkesën e paditësit e konsideron si masë të përkohshme, gjë që është në kundërshtim me ligjin, dhe juristët tanë sot përgatitën ankesat dhe përgjigjet ndaj padisë dhe do të dorëzohen. Por, për këtë do t’i drejtohemi edhe Këshillit Gjyqësor të Republikës dhe do të paraqesim ankesë ndaj gjyqtares që ka trajtuar rastin, dhe do të kontaktojmë edhe kryetarin e gjykatës. Do të kërkojmë që rasti të kthehet përsëri në seancë dhe të na lejohet të paraqesim mbrojtjen tonë.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski.
Duke marrë parasysh se duhet të respektojnë vendimin e gjykatës, ata do ta pezullojnë grevën, por Tasevski thotë se nuk do të heqin dorë dhe do të vazhdojnë me aktivitete për të gjetur mënyra për të realizuar kërkesat e tyre, të cilat janë pjesë e marrëveshjes së nënshkruar mes sindikatës dhe drejtuesve të M-NAV-it në vitin 2023 për përmirësimin e kushteve të kontrollorëve të trafikut ajror. Kërkesat e sindikatës synojnë kryesisht punësimin e personelit që nuk është i kualifikuar dhe i nevojshëm përmes ndërhyrjeve partiake.
BELINDA KOKA ADEMI
