Maqedoni
Pas tetë vitesh, vendi me plan të ri për zhvillim digjital
17.10.2025 15:15
Pas tetë vitesh pritjeje, Maqedonia e Veriut me plan të ri dhe gjithëpërfshirës për zhvillimin digjital të shtetit...

Pas tetë vitesh pritjeje, Maqedonia e Veriut me plan të ri dhe gjithëpërfshirës për zhvillimin digjital të shtetit, theksoi sot ministri Andonovski, i cili shtoi se dokumenti do të jetë bazë për ndërtimin e një administrate moderne dhe më efikase për qytetarët. Sipas tij, plani i ri do të përcaktojë qartë drejtimet për zhvillimin e shërbimeve publike, infrastrukturës digjitale dhe qeverisjes elektronike, ndërsa qëllimi kryesor është krijimi i një sistemi funksional, të qasshëm dhe transparent për të gjithë qytetarët.
““Smart MK 2030” është dokument kombëtar, pjesë e dekadës më të gjerë evropiane, agjendës për zhvillim, si dhe pjesë e strategjisë kombëtare për zhvillim, agjendës reformuese dhe planit të rritjes me të cilën është në përgjithësi e përputhur. Si vend kandidat, Maqedonia e pranon kornizën e dekadës digjitale evropiane, e cila parashikon katër qëllime deri në vitin 2030. Qytetarë të edukuar për digjitalizim dhe ekspertë të trajnuar, infrastrukturë të sigurt, shërbime publike digjitale dhe biznese të integruara digjitale.”, - deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Ai theksoi se ndër sfidat kryesore mbeten sigurimi i fondeve të qëndrueshme, kornizat ligjore dhe përgatitja e institucioneve për t’u përshtatur me standardet bashkëkohore të digjitalizimit. Plani përfshin digjitalizimin e administratës publike, rritjen e lidhshmërisë në të gjithë vendin, forcimin e sigurisë kibernetike, si dhe krijimin e kushteve për inovacion në të dy sektorët publik dhe privat. Zhvillimi digjital, sipas Andonovskit, është një nga prioritetet kyçe për modernizimin e shtetit dhe afrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian.
LEUNORA KALIQI
