Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, AKI mbajti tubim në Tetovë

17.10.2025 15:27

Aleanca Kombëtare për Integrim ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës në qytetin e Tetovës...

Aleanca Kombëtare për Integrim ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës në qytetin e Tetovës, ku në garë për kreun e kësaj komune është Bajram Rexhepi, ndërsa listës së kandidatëve për këshilltarë komunalë i prin Asaf Abdurrahmani. Duke folur para të pranishmëve, kandidati për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, tha se ka një plan të qartë për zhvillimin e Tetovës, prandaj ai tha se më 19 tetor tetovarët duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë ta lënë Tetovën të shkatërrohet nga kjo pengmarrje politike që po ndodh sot, apo Tetova të çlirohet dhe shndërrohet në një qytet evropian. 
 
“Unë jam i sigurt se tetovarët nuk do të lejojnë që për të ardhmen tonë të vendosin donacionet serbe, as kreditë kineze dhe as paratë e vjedhura nga shitja e pronave tona të përbashkëta. Të dashur tetovarë, unë kërkoj nga ju mbështetje që t’ia kthejmë Tetovës tonë lavdinë, t’ia kthejmë krenarinë e humbur, t’ia kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi.
 
Ai tha se kërkon mbështetjen e qytetarëve për ta bërë Tetovën kryeqendër ekonomike, kulturore dhe sportive, kryeqendër turistike me Kodrën e Diellit si një destinacion për qindra mijëra turistë. Po ashtu Rexhepi theksoi angazhimin e tij për një Tetovë të pastër, ku ndërtohet me plan dhe të jetë pikë referimi për të gjitha komunat tjera shqiptare. Po ashtu ai premtoi një administratë profesionale, efikase, digjitale dhe krejtësisht transparente. Po ashtu Rexhepi premtoi hapjen e bulevardeve, siç tha ai, që Tetova të fillojë të frymojë lirshëm, miratim të planit gjeneral urbanistik, të largohen institucionet nga qendra, që të mundësohet zhvillim i lirshëm i komunikacionit. Ai paralajmëroi edhe ndërtimin e një parku multifunksional, që Tetova të bëhet e gjelbër.
 
Gjatë tubimit në Tetovë foli edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se Tetovën e dy universiteteve duhet ta drejtojë Bajram Rexhepi, sepse  është i përgatitur profesionalisht për t’i dhënë Tetovës hijen e një qyteti evropian. 
 
“Po të bësh një krahasim mes Bajram Rexhepit dhe Bilallit, është si nata me ditën. Nuk kam kurrfarë inati me Bilallin, por është i padijshëm dhe i pagdhendur për të drejtuar Tetovën e dy universiteteve, siç e tha Sela.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Të pranishmëve në Tetovë iu drejtuan edhe liderët tjerë të këtij koalicioni, Ziadin Sela, Skender Rexhepi dhe Arben Taravari, të cilët po ashtu ftuan tetovarët që të votojnë për kandidatin e AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë. Liderët e këtij koalicioni njëherësh theksuan se zgjedhjet e 19 tetorit do të jenë edhe referendum për mbrojtjen e e legjitimitetit shqiptar dhe Marrëveshjes së Ohrit. 
 
GYLTENE SINANI