Maqedoni

Zgjedhjet lokale, nga mesnata nis heshtja zgjedhore

17.10.2025 15:55

Në mesnatë nis heshtja zgjedhore, që do të zgjasë deri në mbylljen e procesit të votimit, të dielën në mbrëmje...

Në mesnatë nis heshtja zgjedhore, që do të zgjasë deri në mbylljen e procesit të votimit, të dielën në mbrëmje. Gjatë kësaj periudhe ndalohet emetimi i informacioneve, fotografive, audio dhe video materialeve, që do të kishin lidhje me pjesëmarrësit në zgjedhje, e të cilat do të ndikonin tek vendimi i votuesit para kutisë së votimit. Nesër të drejtën e votës do ta shfrytëzojnë personat e pafuqishëm, të burgosurit dhe të arrestuarit në shtëpi, si dhe të moshuarit nëpër shtëpitë e pleqve. KShZ-ja në vazhdën e aktiviteteve të saj sot pranoi disa kërkesa të qytetarëve për të realizuar të drejtën e votës. Ndërkaq u akredituan edhe media shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria për të ndjekur procesin votues.
 
“Kemi marrë edhe tetë kërkesa nga vëzhgues, të cilët do të ndjekin procesin zgjedhor në vitin 2025. Këto janë TV Klan nga Kosova me gjashtë gazetar, Agjencia Evropiane e Mediave me një fotoreporter, Top Channel Shqipëri me një gazetar, TV1 nga Kosova me dy gazetarë, shoqata WaKe UP 110 vëzhgues, qendra për trajnime të vazhdueshme nga Moldavia një vëzhgues, ambasada e Turqisë në Maqedoni një monitorues dhe ambasada e Kosovës në Maqedoni me tre mbikëqyrës.”, - deklaroi anëtarja e KShZ-së, Svetllana Karapetrova.
 
Nga e hëna, 20 tetor do të vazhdojë fushata në komunat, kandidatët e të cilëve shkojnë në balotazh. Votimi i rrethit të dytë zhvillohet më 2 nëntor.
 
MERAL ISMAILI