Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, Vlen mbajti tubim në Çair

17.10.2025 17:00

Koalicioni VLEN mbajti tubimin përmbyllës në komunën e Çairit...

Koalicioni VLEN mbajti tubimin përmbyllës në komunën e Çairit, ku për kryetar komune garon Izet Mexhiti, ndërsa bartës i listës së kandidatëve për këshilltarë komunalë është Muhamed Murtezi.
 
Duke folur para të pranishmëve, kandidati për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, tha se ka dalë para qytetarëve të Çairit jo për të mbajtur fjalim politik, as për të bërë oponencë me kundërshtarët, e as për të folur për projektet e realizuara, sepse në cilin do skaj të Çairit flet puna jonë, flasin makineritë që punojnë në Çairin tonë, tha Mexhiti.
 
Ai tha se nuk do të flas as për dhjetëra miliona euro investime të sjella në Çair, as për shkollat e çerdhet e reja, as për sheshin e ri në Çarshi, as për kampusin universitar, por ai tha se ka dalë para qytetarëve në tubimin në Çair, për t’u thënë faleminderit, për dashurinë, besimin dhe buzëqeshjen e dhënë në këtë fushatë. Mexhiti njëherësh theksoi se kjo betejë ka kaluar dimensionet e një gare të rëndomtë për një komunë të Shkupit.
 
Kundërshtarët politikë deshën të na sfidojnë në Çair, të na mundin në Çair, tha Mexhiti, duke shtuar se ndonëse kishin plotë djem e vajza që do ta bënin këtë betejë me sukses e pranoi sfidën dhe vendosi të garojë vet për ta marrë vet përsipër nderin e Çairit, dhe, siç tha ai, t’u jepet leksion të gjithëve se Çairi nuk është trampolinë politike për të shpëtuar karrierat politike të politikanëve të konsumuar të Zajazit.
 
“Çairi nuk është trampolinë as për të kthyer në pushtet ata që sot vajtojnë në opozitë dhe që mendonin se duke fituar në Çair do të kthehen në qeveri. Më 19 tetor disa nga ata do t’i dërgojmë në pension politi,k ndërsa disa në histori. Prandaj shumë të dashur çairas të mi fitorja në çair ka të bëjë me nderin e Çairit, sepse unë nuk jam në garë me Bujarin, por me Ali Ahmetin e Zajazit.”, - deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
 
Të pranishmëve në tubimin në Çair iu drejtua edhe kreu i partisë Alternativa, Zeqirja Ibrahimi, i cili tha se jo vetëm si njëri nga liderët e koalicionit VLEN, por edhe si qytetar i Çairit, kërkon votën për kandidatin për kryetar komune, Izet Mexhitin, kandidatin për kryetar të Shkupit, Bashkim Bakiu, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunal në Çair dhe Qytetin e Shkupit.
 
“Si një banor i Çairit, si një mik i juaji i cili edhe në të kaluarën është angazhuar dhe është kujdesur për Çairin tonë, e dimë të gjithë se Çairi ishte projektuar si një zorrë qorre e qytetit dhe gjithmonë ka qenë sfidë e jona, a mundemi që këtë komunë në këto kufij e në këto kushte ta kthejë prej kësaj fatkeqësie në fatbardhësi.”, - theksoi  kryetari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi.
 
Të pranishmëve në Çair iu drejtua edhe kandidati për kryetar të Shkupit, Bashkim Bakiu, i cili po ashtu kërkoi votën edhe për kandidatët e koalicionit VLEN për kryetar të Shkupit dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunalë. 
 
FITORE DEMOLLI