Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2025, kandidatët e pavarur dhe jashtëparlamentarët në garë

17.10.2025 18:28

Kandidatët e pavarur dhe ato të partive jashtëparlamentare janë...

Kandidatët e pavarur dhe ato të partive jashtëparlamentare janë në garë për kryetarë komune dhe këshilltarë komunalë.
 
“Dita e diel do ta përcaktojë fatin e katërvjeçarit të Gostivarit. Duket pak si fjalë boshe apo si fjalë e cila përdoret shpesh nga politikanët tanë, por çdo qytetarë që është në shtëpi dhe e sheh këtë lloj presskonference duhet ta kuptojë se me votën e tij apo saj do të përcaktojë një të ardhme, e cila do të lidhet ngushtë me zhvillimin e Gostivarit, me çfarë çerdhe duam, me çfarë shkolle duam, çfarë ekonomie duam. A duam të kemi akoma probleme me mbeturinat.”, - deklaroi kandidati i pavarur për kryetar të Gostivarit, Visar Ademi.
 
“Unë do të jem kryetar i të gjithëve pa dallime partiake, dua të jem i lirë të them atë që duhet, e jo atë që urdhërojnë të tjerët. Dua të jem kryetar që dëgjon çdo qytetar, e jo që mbyllet në zyrë me njerëzit e vet e duke sharë qytetarët tanë. Kërçovë, unë dhe ekipi im jemi gati të qeverisim pas 19 tetorit.”, - theksoi kandidati i pavarur për kryetar të Kërçovës, Shkodran Alili.
 
“Veturën famoze do ta shesim dhe do ta donojmë për njerëzit në nevojë. Pagat e mija gjithsesi do të jenë për fëmijët me nevoja të veçanta. Reprezentacion për kryetarin e ardhshëm të Strugës nuk do të ketë më. Bashkërisht do të festojmë më 19 tetor, për një të ardhme, për ne, për fëmijët, për nipërit, për të gjithë qytetarët e Strugës.”, - u shpreh kandidati i pavarur për kryetar të Strugës, Mendi Qyra.
 
“Sa të marrim përsipër mandatin, do të formojmë një shtab të krizës së komunës për deponinë, me juristë, ekologë dhe inxhinierë. Do të zhvillojmë një mbledhje me Inspektoratin e Mjedisit dhe do të dalim publikisht me plan dhe afate të qarta për pastrimin. Në muajin e dytë do të vendosim barrierë fizike rreth deponisë me sigurim 24/7. Do të bëjmë një monitorim ekologjik, matje të ajrit, tokës dhe ujërave nëntokësorë, do të publikojmë raportin e parë për ndotjen, është shumë me rëndësi.”, - deklaroi kandidati i pavarur për kryetar të Strugës, Besnik Asani. 
 
“Të nderuar bashkëqytetarë, Shkupi po ngulfatet, po fundoset në mbeturina, Shkupi po venitet. Vetëm së bashku mund t’i ndihmojmë Shkupit të dalë nga kjo agoni, prandaj votoni për kryetar të pavarur profesional dhe të ndershëm. Votoni numrin 128. Shkupi ka gjasa. Fushata ime ishte tepër paqedashëse, pa sulme dhe asgjë të pandershme.”, - theksoi kandidati për kryetar të Shkupit nga “Të pavarur së bashku”, Goran Markovski.
 
“Të dielën është mundësia të gjithë së bashku publikisht t’i shpallim luftë korrupsionit në Komunën Qendër, prandaj dilni lirshëm, të pavarur, pa ngarkesa dhe votoni për ndryshim, votoni për kryetare që është luftëtare e njohur kundër korrupsionit. Kur ta fitojmë korrupsionin, do të kemi para për gjithçka. Prandaj, votoni 149 për kryetare të Komunës Qendër.”, - u shpreh kandidatja e pavarur për kryetare të Komunës Qendër, Biljana Ivanovska.