Maqedoni

Tiranë, protestë në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së

17.10.2025 21:04

Me tingujt e himnit kombëtar, nisi tubimi historik në Tiranë...

Me tingujt e himnit kombëtar, nisi tubimi historik në Tiranë në mbështetje të katër liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.  Imazhi i tyre u shfaq në një ekran të madh krah bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit.
 
Mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi dhe mbarë bota mbushën sheshin e veshur kuq e zi, nga ku kumboi mesazhi Drejtësi për liderët e UÇK-së.  Veteranë të UÇK-së udhëtuan nga Kosova të veshur me uniformën ushtarake, si dëshmi e gjallë e luftës për liri.
 
I pari që çeli protestën qe Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati.
 
“Tirana sot është kryeqendra e Shqiptarëve. Sot nga kjo tokë i themi botës se nuk ishim kriminelë, por bijtë e këtij kombi që dhanë gjithçka për atdhe”, u shpreh Hysni Gucati nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
 
Megjithëse me një shëndet të rënduar për shkak të thuajse një shekulli jetë, ish- presidenti Alfred Moisiu tha se liria nuk u dhurua, por u fitua me gjak.
 
“Është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin sa më lart për të ngritur vendin tonë. Nuk mund të pranojmë të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve. Liria e Kosovës nuk është dhuratë, është fituar me gjak, me sakrifica dhe vendosmëri. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten për t’u bërë mësim të gjithëve”, theksoi ish presidenti i Shipërisë, Alfred Moisiu.
 
 Në mesazhin e tij kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se 4 udhëheqësit duhen liruar.
 
Djali i Hashim Thaçit e ndoqi nga afër, në krah të Taulant Ballës, kryebashkiakut të Prishtinës Përparim Rama dhe Ogerta Manastirliut.
 
Pas tubimeve në Tiranës, Prishtinë e Hagë, mbështetja për 4 liderët e UCK-së pritet t’i mbledhë shqiptarët edhe në Shkup.
 
LULJETA NDOKA