Zgjedhjet lokale, sot votojnë të sëmurët, të burgosurit

18.10.2025 14:43

Procesi i votimit sot ka nisur për 8. 848 personat e sëmurë...

Procesi i votimit sot ka nisur për 8. 848 personat e sëmurë. Gjithashtu të drejtën e votës po e realizojnë 2. 162 të burgosur në 14 burgje ose persona të cilët gjenden në arrest shtëpiak.

Nga KSHZ informojnë se 442 të moshuar të strehuar në 13 azile pleqësh janë duke votuar. Procesi i votimit ka nisur në ora shtatë të mëngjesit.

Nga KSHZ thonë se votimi në përgjithësi zhvillohet pa probleme duke u tejkaluar edhe problemi i vetëm në komunën e Novo Sellës me gabime në numrat rendor të këshilltarëve komuanlë.

“Ky gabim është korrigjuar dhe tanimë është dorëzuar material në komunën e Novo Sellës dhe votimi për të sëmurët, sot do të realizohet pa ndërprerje dhe të gjithë do të realizojnë të drejtën e votës.” – tha Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Vetëm në burgun e Idrizovës në kryeqytet për të votuar janë paraqitur 1.840 persona. Procesi i votimit këtu zhvillohet pa problem.

“Vendvotimi u hap në kohë, në shtatë të mëngjesit. Procesi po zhvillohet më së miri. Shpresoj se deri në mbyllje të votimit do të jetë kështu. 1.840 persona duhet të votojnë. Vendvotimi duhet të mbyllet në ora 19. Shpresoj gjithçka të shkoj mirë.” – u shpreh Kryetarja e Komisionit zgjedhor në Idrizovë, Jadranka Mitievska.

Në burgun e Idrizovës, por edhe në institucionet e tjera ndëshkuese do të zhvillohet votimi në rrethin e dytë, vetëm për ata të burgosur, komuna e të cilëve nuk arrin me votimin e së dielës të nxjerrin kandidatin fitues.

Nga KSHZ njoftojnë se votat e sotme nuk do të publikohen, por të njëjtat do t’i bashkangjiten votës së trupit votues nesër dhe bashkërisht do të publikohen pas përfundimit të procesit zgjedhor. (Meral Ismaili, TVM2)