TVSH, 18% për porositë online në Maqedoni, ekspertët: Kjo është mase për barazi fiskale
Qeveria e Maqedonisë së Veriut propozoi ndryshime në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar...

Qeveria e Maqedonisë së Veriut propozoi ndryshime në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, të cilat parashohin vendosjen e TVSH-së prej 18% edhe për porositë nga jashtë deri në 22 euro, kufi ky që deri tani ishte i përjashtuar nga tatimi.
Kjo do të thotë se për çdo blerje online, për shembull nga faqet si “Temu”, që kushton rreth 1.000 denarë, qytetarët do të paguajnë edhe rreth 180 denarë më shumë. Qëndrimet e qytetarëve rreth kësaj mase janë të ndara.
Disa prej tyre e pranojnë që çmimet do të rriten, por besojnë se do të vazhdojnë të porosisin për shkak të ofertave më të lira që ofrojnë platformat si TEMU, krahasuar me tregun vendas.
“Është shumë lirë, më tëpër bën porosi nëna ime. E di se çmimet do të rriten, por besoj se përsëri mund të gjejmë produkte më të lira se këtu..”
“Personalisht nuk bëj porosi prej në TEMU, por njoh shumë njerëz që e bëjnë këtë. E di që tani për çdo porosi mbi 22 euro do t’i paguhet 18% TVSH. Dhe kjo automatikisht do ta rrisë çmimin e produkteve për shtetasit e vendit tonë, megjithatë unë nuk jam fort i sigurtë për këtë. Por besoj se do të pososisin prapë njerëzit pasi ka roba dhe produkte të ndryshme që janë shumë më të lira se nëpër dyqanet këtu në vendin tonë.”
“Jo, unë personalisht nuk porosis kurrë online. Duhet të shoh produktin.”
“Nuk është se merrem me TEMU-n, nuk bëj porosi online, dua ta shoh materialin para se t’a marr.” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.
Sipas ekonomistit Abil Baush, Tatimi i Vleres së Shtuar është një masë për barazi fiskale dhe qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja e tregut vendor.
“Kjo është një barazi fiskale, parasëgjithash për arsye se shitja online nuk e anashkalon edhe tatimin. Pra nëse shisni online në treg duhet të jeni të njejtë si ato që shesin në mënyrë tradicionale, prandaj duhet të tatimohet. Në këtë rast edhe TEMU-ja, por edhe të tjerë të cilët shesin online do të duhet të hynë që të kemi një barazi tatimore, duhet patjetër të paguajnë tatim.” – tha analisti ekonomik, Abil Baush.
Gjatë gjysmës së parë të vitit, transaksionet online në Maqedoni u rritën me 34.3%, duke arritur në 456.3 milionë euro. Vetëm në qershor, qytetarët porositen 250 ton mall përmes Temu-s, prej të cilave 95 ton me vlerë nën 22 euro, për të cilat nuk paguhet asnjë taksë. Importi nga Kina deri në gusht u rrit me 15.7%, duke arritur në rreth 800 milionë euro.
Sipas rregullave aktuale, për dërgesat deri në 22 euro nuk paguhen detyrime, për ato nga 22 deri në 45 euro paguhet vetëm TVSH, ndërsa për mbi 45 euro paguhen edhe dogana edhe TVSH. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
