Tetori, muaji i ndërgjegjësimit për kancer në gji, mjekët: Zbulimi i hershëm i kancerit shërohet
Numri i pacientëve me kancer në gji...

Numri i pacientëve me kancer në gji çdo vit po rritet dhe incidenca më e lartë është te grupmoshat më të reja. Mjekët dhe ekspertët e kësaj fushe apelojnë qytetarët për kontrolle të rregullta që të parandalohet kjo sëmundje.
Mjekët thonë se ka shumë faktorë që rrisin numrin e pacientëve me kancer të gjirit, roli kryesor është ndryshimi i mënyrës së jetesës.
“Ndryshimi i mënyrës së jetesës ka një rol kryesor në shfaqjen e numrit më të madh të knacereve të gjirit. Ne të gjithë e shohim sepse mënyra e jetesës sonë ka ndryshuar, martesat gjithnjë bëhen në mosha më të vonshme, lindjet e para bëhen në mosha më të vonshme, përdorimi i kontraceptivëve është më i shprehur sesa në vitet e mëparshme, ndotja e ambientit apo ndotjet e tjera që vijnë përreth që nuk janë në dorën tonë sigurisht që luajnë një rol të madh në shfaqjen e patologjive tumorale, pastaj është edhe faktori gjenetik, stili i jetesës, konsumimi i duhanit alkoolit, ndikojnë në përgjithësi në sëmundje tumorale, por edhe në patologjitë e gjirit.” – tha Albana Shaini, radiologe.
Beqiri: Kontrollet sistematike, domosdoshmëri
Liridona Beqiri nga Shoqata ‘EZRA” thotë se mundohen t’i ndërgjegjësojnë popullatën që të bëjnë kontrolle të rregullta me qëllim që të evitohet paraqitja e sëmundjeve malinje ose të detektohet që në fazë të hershme që trajtimi të jetë më i susksesshëm.
“Ne si shoqatë mundohemi në vazhdimësi ta edukojmë masën, ajo është edhe detyra jonë më e theksuar për të ngritur vetëdijën tek të gjithë popullata, edhe gra edhe burra, sepse dua ta cek se incidence e karcinomës së gjirit tani është prezente edhe tek meshkujt dhe kjo sëmundje nuk po bën më dallim, as gjinia, por as edhe grupmosha, prandaj gjithmonë bëjmë thirrje që vajzat nga mosha 20 vjeçe të jenë më pjesë e rutinës së kontrolleve sistematike për parandalimin e kësaj sëmundje.” – u shpreh Liridona Beqiri nga Shoqata “Ezra”.
Statistikat tregojnë që çdo vit me kancer të gjirit diagnostikohen nga 1200 raste të reja, që përfshihen edhe tek grupmoshat më të reja. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
